Krasniqi: Spitali i Vushtrrisë së shpejti shndërrohet në Spital COVID-19
Drejtori i Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi deklaroi se janë duke u zgjeruar kapacitetet spitalore për pranimin e pacientëve të prekur me COVID-19.
Krasniqi tha se nga dje është lëshuar një kat i Klinikës së Neurologjisë me kapacitet prej 60 shtretërve
“Nga dje e kemi lëshuar një kat me kapacitet prej 60 shtretër, Klinika Infektive dhe ajo e Pulmologjisë janë mbushur me pacientë”, deklaroi Krasniqi.
Ai gjithashtu tha se së shpejti Spitali i komunës së Vushtrrisë do të bëhet ‘Spital COVID-19’, transmeton Indeksonline.
“Në Komitetin për Menaxhimin e Covid-19, në konsultim me kryeministrin së shpejti edhe Spitali i Vushtrrisë do të bëhet komplet Spital Covid, ku do të pranohen pacientët e prekur me Covid. Pacientët e komunës së Mitrovicës dhe Vushtrrisë që janë të prekur, trajtimin do ta marrin në Vushtrri, dhe ata që nuk kanë koronavirus shërbimet e tjera dhe trajtimet e tjera do t’i marrin në Mitrovicë”, tha infektologu Valbon Krasniqi.