Krasniqi: Kosova nuk ka strategji të mirëfilltë për dialogun
Kosova nuk ka strategji të mirëfilltë dhe nuk dihet se cili është pozicioni i Kosovës për bisedimet me Serbinë, ka thënë Jeta Krasniqi. Sipas saj pozicioni i Kosovës duhet të jetë për të ruajtur integritetin territorial.
“Ne nuk e dimë qartazi se çka po ndodhë me procesin e dialogut dhe çka është duke u synuar. E dimë që SHBA-ja ka kërkuar që në përfundim të procesit të ketë njohje reciproke. E kemi dëgjuar nga krerët tanë institucionalë të kenë thënë se duhet kompromis i dhimbshëm dhe drejtë asaj marrëveshje do të duhet të japim diçka. Pra është frazuar vetë nga krerët tanë institucional një gjë e tillë. Në vazhdimësi kemi dëgjuar se janë dy teza, ajo e një asociacioni me komuna me shumicë serbe, të një autonomie të komunave veriore, apo edhe këmbimit të territoreve si një mundësi e një kompromisi të asaj që mund të jepte Kosova, në mënyrë që të marrim njohje reciproke. Fokusi ynë ka qenë gjithmonë te teza e korrigjimit të kufijve, fokus me shumë vend, pasi na ka shqetësuar të gjithë neve kur flitej për dhurim të territorit nga ana e Kosovës ndaj Serbisë, për njohje”, ka thënë Krasniqi.
“Por problematika tjetër mbetet që ne kalojmë nga një qeveri në tjetrën dhe nuk kemi strategji të mirëfilltë dhe nuk e dimë cili është pozicioni i Kosovës. Pozicioni duhet të jetë unik dhe i tillë që ruan integritetin territorial, nuk prek funksionimin unitar të shtetit. Nuk duam të bëhemi Bosnje e dytë”.
Duke folur për mbetjen prapa të Bashkimit Evropian në procesin e dialogut, Krasniqi në KTV ka thënë se BE-ja vetë është vendosur si e dyta, pas SHBA-së.
“Nuk e besoj që mund të thuhet që është lënë anash BE-ja. BE-ja me anë të sjelljeve të saj u vendos në vend të dytë, që procesi të merrej përpara nga ana e SHBA-së. Që nga fillimi i procesit, nga 2011-ta, ne e kemi parë që SHBA ka pasur rol shumë të rëndësishëm në dialogun Kosovë – Serbi. Edhe pse jo gjithmonë evident publikisht, SHBA-ja e ka mbështetur këtë proces”, ka thënë Jeta Krasniqi.
“Tani administrata e Trumpit është e interesuar të marrë një rol udhëheqës dhe e ka marrë atë rol udhëheqës. BE filloi të humbiste rolin e vet, sepse që nga koha e Mogherinit nuk ka një unitet të brendshëm në vet Bashkimin Evropian. Shohim zbehjen e rolit të ndërmjetësuesit të BE-së nga vetë shtetet anëtare të BE-së. E them këtë pasi Mogherini lejoi në tryezën e saj të shtrohet edhe tema e korrigjimit të kufijve. Kjo ishte një temë që nuk e kishte pranimin e shteteve të BE-së, një tezë që u kundërshtua direkt nga Gjermania. Fakti që më pas kishim samitin e Berlinit dhe ai që pritej, i Parisit, që nuk ndodhi, tregoi se Gjermania e Franca e morën këtë proces nga përfaqësuesi i lartë, pasi u pa që ky rol nuk arriti të përfaqësonte atë që BE-ja dëshironte. Por është pyetje se çka është ajo që dëshiron BE-ja”, vlerëson Krasniqi.