Krasniqi ankohet se u rrah me grushte e shkopinj, policia mohon se përdori dhunë
Një qytetar nga komuna e Klinës po pretendon së një javë më parë është arrestuar dhe rrahur pa asnjë bazë nga policë të kësaj komune. Ai thotë se është torturuar për orë të tëra dhe vetëm pas shikimit të disa xhirimeve, ku vërtetohej se nuk ishte i përfshirë për rastin që është arrestuar, edhe është lënë i lirë. Mirëpo, Policia mohon të jetë përdorë dhunë në këtë rast, ndërsa jep arsyet pse është arrestuar dhe intervistuar personi në fjalë.
Qazim Krasniqi nga Klina thotë se ditë më parë është arrestuar e mandej edhe rrahur nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës në këtë rajon. Ai pretendon se e gjithë kjo është bërë pa asnjë bazë, pasi nuk ka qenë i përfshirë në ndonjë vepër që bie ndesh me ligjin.
E gjithë ngjarja ka ndodhur në mëngjesin e datës 17.09.2019, kur Qazim Krasniqit i ishte bastisur shtëpia e që më pas është arrestuar dhe dërguar në stacionin policor të Klinës.
Krasniqi për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus ka treguar versionin e tij, duke thënë se në momentin kur i është bastisur shtëpia ka qenë me vëllanë, i cili ka probleme mendore.
Ai shton se nuk ka pasur dijeni se për çfarë po bastisej dhe për çka është arrestuar, por që këtë e kishte kuptuar në stacionin e policisë, ku i ishte thënë se po akuzohej për kryerjen e një vjedhje me armë në shtëpinë e fqinjit të tij.
“I kam pyetur policinë se përse po ndodhë një gjë e tillë, por ata nuk më kanë dhënë hapësirë as të flas dhe të shpjegohem”.
Mes tjerash, Krasniqi tregon se gjatë intervistimit është përdorë dhunë fizike ndaj tij. Ai pretendon se një polic dhe një police e kanë goditur me grushte e shkopinj gome.
“Polici ka qenë E.R. (emër i njohur për redaksinë) dhe një police femër. E gjithë kjo besoj se ka ndodhur për shkak se E.R. është familjar i personit të cilit i është vjedhur shtëpia dhe ai ka kërkuar policit që të kontrollohet e gjithë lagja, të rrahin njerëzit se është dikush afër që e ka bërë një gjë të tillë”, është shprehur ai.
Por, Krasniqi mohon kategorikisht të ketë kryer një vepër të tillë.
“A besoni në Allah që edhe po të mos kisha bukë për të ngrënë unë nuk do t’i kisha kryer ato vepra”.
Pasi është mbajtur një kohë në stacion, vetëm pas orës 15:00 kur janë shikuar disa xhirime të një pompe të derivateve, ku vërtetohej se nuk ishte i përfshirë për rastin që është arrestuar, Krasniqi edhe është lënë i lirë.
Mirëpo, Qazim Krasniqi thotë se ende është në “zaval” prej policisë, pasi që i është kërkuar të gjejë gjërat e vjedhura nga shtëpia e fqinjit.
“Në momentin që i kanë parë kamerat e sigurisë më kanë treguar që jam i lirë dhe më kanë dhënë një listë me gjërat e vjedhura në atë shtëpi dhe më kanë kërkuar që unë t’i gjejë ato. Por, unë nuk jam hetues policie. Besoni jam në zaval prej policisë këtu”.
Krasniqi edhe më parë ishte akuzuar për sulme të tjera me armë nga Policia e Kosovës, por thotë se e gjithë kjo po i ndodhë sepse është pa mbështetje familjare.
“Nuk e di pse po ndodhë një gjë e tillë, a më kanë gjet pa përkrahje apo pse jam jetim nuk e di”.
Ndërkaq nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë kanë mohuar të jetë përdorë dhunë në këtë rast, ndërsa japin arsyet pse është arrestuar dhe intervistuar personi në fjalë.
Në një përgjigje të dhënë për FaktePlus thuhet se Njësia e hetimeve pranë Stacionit Policor në Klinë, gjatë hetimit të rastit për vjedhje përmes rrugëve operativo hetimore ka arritur të siguroj informata se i dyshuari, K.B. (i arratisur nga burgu) është në shoqëri me Q. K. dhe së bashku ata mund të jenë të dyshuarit kryesor për vjedhjet që ishin raportuar kohëve të fundit.
Nga policia thuhet se Qazim Krasniqi është i njohur nga autoritetet e rendit edhe më parë për aktivitete kriminale, kurse kësaj radhe vetëm është intervistuar për disa vjedhje që kanë ndodhur kohën e fundit.
“Hetuesit, kanë bërë një plan taktik dhe në shtëpinë e Q. K. kanë arritur të arrestojnë dhe kthejnë në vuajtje të dënimit K.B., ndërsa i dyshuari Q. K. është intervistuar nga hetuesit lidhur me vjedhjet që janë raportuar në ata pjesë të qytetit. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me ndonjë sulm, por me veprime të ligjshme policore”, thonë në polici./FaktePlus