KQZ tregon se kur do të bëhet pagesa për 22 mijë personat që punuan në zgjedhje
Mbi 22 mijë persona kanë punuar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve gjatë zgjedhjeve të fundit në Kosovë. Mirëpo, ata ende nuk i kanë marrë pagat për punën që e kanë bërë. KQZ ka treguar deri ku ka shkuar ky proces.
Pas përfundimit të numërimit të votave më 3 mars, nga të cilat u shpallën rezultatet përfundimtare ku nxorën edhe partinë fituese që doli të jetë Vetëvendosje me 50.28% të votave, nuk është kryer edhe një hap i fundit i këtyre zgjedhjeve.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit si dhe në procedurën e numërimit të votave në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, u angazhuan rreth 22 mijë e 500 anëtarë të këshillave të vendvotimeve apo staf teknik të cilëve më pas u garantohet një pagë për punën e bërë.
Por, pas arritjeve të rezultateve të certifikuara, komisionarët dhe i gjithë stafi teknik janë ende në pritje të të hollave që u premtuan nga Komisioni Zgjedhor i Zgjedhjeve.
Zëdhënësi i këtij komisioni, Valmir Elezi për FaktePlus ka theksuar se, për stafin që punuan në ditën e zgjedhjeve, Ministria e Financave veçse ka filluar transferimin e mjeteve.
“Sipas konfirmimeve që kemi nga Ministria e Financave, tashmë kanë filluar me transferimin e mjeteve për stafin e angazhuar sipas listave që u kemi dërguar.”, ka thënë Elezi.
Ndërkaq, ende nuk ka përfunduar dërgimi i tërësishëm i listave të komisionerëve në Ministri, ku thuhet se vetëm 35 komuna u janë proceduar të dhënat e 17 mijë e 200 personave, por ka mbetur edhe komuna e Prishtinës Podujevës dhe Prizrenit, për t’i përfunduar listat.
“Deri në këto momente që flasim, janë proceduar të dhënat e rreth 17 mijë e 200 personave të angazhuar në 35 komuna, ndërsa sot dhe nesër do t’i përcjellim edhe listat me rreth 5 mije e 330 personave të angazhuar nga komunat si Prishtinë, Podujevë dhe Prizren.”, ka treguar zëdhënësi i KQZ-së.
Ndërsa siç, mëson FaktePlus, lidhur me pagesat për stafin e angazhuar në QNR, këto lista, Elezi thotë se do t’i përcjellën sapo të jenë të gatshme për procedim e pa ndonjë datë ende të caktuar, do t’u përcjellën mjetet.
Duke mos anashkaluar rastet se mund të ndodhë ndonjë gabim teknik gjatë transferimit të mjeteve, nga KQZ-ja është kërkuar se personat të cilët kanë probleme të tilla duhet të paraqiten tek ta dhe në komunën ku janë angazhuar e më pas të përmisohen ato të dhëna./FaktePlus/