KQZ: Për zgjedhjet e 29 nëntorit nuk duhet buxhet shtesë
Zyra e presidentit Hashim Thaçi ka dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar të Podujevës dhe Mitrovicës së veriut.
Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së ka thënë se pasi kanë pranuar dekretin do të nisin me zbatimin e planit operacional për këtë zgjedhje.
Ai më tej ka bërë të ditur se nuk kanë nevojë për buxhet shtesë, pasi buxheti është alokuar më herët.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të fillojë planin operacional dhe gjatë ditës së nesërme do miratohet ky plan. Në këtë plan do të renditen të gjitha aktivitet që do t’i ndërmarrim deri me datën 29 nëntor”, ka thënë Elezi.
“Sa i përket çështjeve me komunën e Podujevës dhe Mitrovicën jemi në periudhë pandemie dhe dua të veçoj sa i përket çështjeve me buxhetin dhe veçse është i alokuar më herët dhe sa i përket zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, tha Elezi për eo.
Gjatë së martës presidenti Thaçi, ka shpallur datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar në Komunën e Podujevës dhe për Kryetar në Komunën e Mitrovicës së Veriut.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto dy komuna, bazuar në vendimin e presidentit Thaçi do të mbahen më 29 nëntor 2020.
Presidenti Thaçi e ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve në Komunën e Podujevës dhe në atë të Mitrovicës së Veriut në përputhje me vendimet dhe ligjin në fuqi.
Në dy vendimet e presidentit Thaçi theksohet se organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Podujevës dhe për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut duhet të bëhet në koordinim dhe bashkërendim me institucionet përkatëse, në pajtim me Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës.