KQZ-ja tregon se deri kur pranon votat e diasporës
Në prag të zgjedhjeve të sivjetme parlamentare, votat e diasporës po marrin vëmendjen e shtuar të subjekteve politike si asnjëherë më parë.
Kjo vëmendje ka ardhur pasi më shumë se 35 mijë qytetarë të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të botës, janë regjistruar si votues nga diaspora për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 6 tetor.
Ndërsa, votimi nga diaspora ka filluar më 19 shtator dhe përmbyllet nesër, më 5 tetor.
Këtë e ka konfirmuar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.
Ai ka thënë se votimi me postë ende është duke vazhduar.
“Sa i përket çështjes së votimit përmes postës ky operacion është duke vazhduar, ka filluar më 19 shtator, duhet ta përmendim se fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja deri më datë 5 tetor, pra deri ditën e shtunë”, ka thënë Elezi.
Ndërsa, ka thënë se deri më 3 tetor KQZ-ja ka pranuar 8 mijë e 133 pako të supozuara me fletëvotime që kanë ardhur nga diaspora.
“Deri më tani të dhënat janë të datës 3 tetor, kemi pranuar 8 mijë e 133 pako të supozuara me flet votime të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës. Dihet se numërimi i fletëvotimeve apo votave që vijnë jashtë vendit bëhet në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve pas ditës së zgjedhjeve dhe pasi që të përfundojnë disa procedura që janë të parapara”, ka thënë ai.
Sipas Elezit, KQZ-ja është në pritje të pranimit të votave të diasporës deri më 5 tetor në orën 00:00.
“Ne jemi në pritje, do të thotë deri më datën 5 tetor fletëvotimet duhet të pranohen nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe sigurisht në përfundim të këtij procesi do të kemi të dhëna se sa është numri i pakove me fletëvotime të supozuara të cilat kanë ardhur në adresën e KQZ-së, dhe më pastaj janë procedurat tjera të cilat zhvillohen dhe do të dijmë saktë se sa është numri i fletëvotimeve të cilat kanë ardhur nga diaspora”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, i pyetur se sa është përgatitur KQZ-ja, për të dielën dhe se cili do të jetë plani i këtij institucioni, Elezi ka pohuar se janë në fazën përfundimtare të përgatitjeve.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në fazën përfundimtare të përgatitjeve lidhur me ditën e zgjedhjeve të 6 tetorit . Të gjitha planifikimet kanë ecur sipas dinamikës së paraparë me planin operacion të miratuar nga KQZ-ja në fillim të këtij procesi zgjedhor. Ka mbetur që gjatë ditës së premte të bëhet rregullimi i të gjitha vendvotimeve, pra të cilat do të hapen të dielën në orën shtatë të mëngjesit dhe sigurisht materiali i ndjeshëm zgjedhor do të shpërndahet me kohë dhe sipas planifikimit, fillimisht tek komisionet komunale të zgjedhjeve, pra në depot e tyre dhe pastaj tek të gjitha qendrat e votimit të dielën herët në mëngjes”, ka thënë Elezi.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 6 tetor. Në listën përfundimtare të votuesve, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve numri i votuesve është 1,937.868.
Nga procesi i votimit, pritet të zgjidhet përbërja e re e Kuvendit të Kosovës, nga e cila më pas, partia apo koalicioni fitues do të marrë mandatin për formimin e Qeverisë së ardhshme të Kosovës./FaktePlus