KQZ-ja merr vendim, cakton sa para mund të shpenzojnë partitë për zgjedhjet në Pudujevë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore për subjektet politike që do të garojnë për zgjedhjet e 15 marsit në Podujevë.
KQZ’ja po thotë se shuma maksimale që subjektet politike mund ta shpenzojnë në fushatën zgjedhore është 43 mijë e 433 euro.
Ky vendim është marrë nga KQZ-ja gjatë mbledhjes së sotme dhe mbështetet në Rregullën Zgjedhore 12/2013 për kufizimin e shpenzimeve të fushatës.
“Kjo rregull parasheh që shpenzimi për fushatë të jetë 0.5 euro për votues të regjistruar. Sipas listës jo-përfundimtare të votuesve në këtë komunë numri i tyre është 86 mijë e 866. KQZ-ja ka caktuar 11 ditë për fushatën zgjedhore të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës. Kjo fushatë zgjedhore fillon më 3 mars dhe përfundon më 13 mars”, ka thënë zëdhënësi i KQZ\së, Valmir Elezi.
Po ashtu, Elezi ka bërë të ditur se subjektet politike akoma nuk kanë dhënë emrat e kandidatëve të tyre.
“Subjektet politike kanë afat që deri më 17 shkurt të aplikojnë në KQZ për t’u regjistruar nëse duan të marrin pjesë në këto zgjedhje si dhe të paraqesin emrin e kandidatit të tyre për kryetar”, ka thënë Elezi.
Kryetari që do të zgjidhet do të vazhdojë pjesën e mbetur të mandatit të kryetarit Agim Veliu që ditë më parë u bë Ministër i Punëve të Brendshme. Në ligjin për zgjedhjet lokale, neni 11, pika 2, thuhet se mandati i kryetarit të porsazgjedhur përfundon në datën e njëjtë sikurse mandati i kryetarit që ai/ajo e zëvendëson.
Në zgjedhjet e fundit lokale (2017) kryetari i komunës së Podujevës ishte zgjedhur vetëm pas raundit të dytë. Agim Veliu i LDK-së kishte fituar 20 mijë e 27 vota, ndërkaq kandidati i Vetëvendosjes Ajet Potera 11 mijë e 373 vota.