KQZ-ja ia vë ‘drynin’ partisë së Milaim Zekës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur sot mbledhjen e radhës me ç’rast ka marrë edhe disa vendime.
KQZ-ja ndër tjera mori vendim që të çregjistrojë katër parti, për arsye se ato nuk kanë dorëzuar formularin për vazhdimin e regjistrimit të partisë politike, siç përcaktohet në nenin 12.6 të ligjit mbi zgjedhjet e përgjithshme.
Prej partive të mbyllura, respektivisht të çregjistruara është edhe Partia Euroatlantike e Kosovës (PEK), e udhëhequr nga ish- deputeti, Milaim Zeka.
PEK ishte zyrtarizuar si parti politike në qershorin e vitit të kaluar, pasi Zeka ishte dorëhequr nga Nisma Socialdemokrate, me të cilën edhe arriti të fitonte për herë të parë ulesën e deputetit.
Në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, Milaim Zeka në listën e partisë së tij kishte futur 45 kandidat që garonin për të fituar postin e deputetit.
Mirëpo, PEK dhe Milaim Zeka pësuan disfatë të thellë, duke mos e siguruar asnjë ulëse në Kuvend, pasi arritën të marrin vetëm 1 mijë e 173 vota të qytetarëve.
E përveç PEK-ut të Milaim zekës, KQZ-ja ka marrë vendim që të shuhen edhe Lëvizja për Drejtësi, Evropska Stranka Demokratske Akcije Kosova dhe Samostalna Liberalna Stranka.
Po ashtu, sot është marrë vendim që të zëvendësohen deputetët e partive politike, të cilët morën poste në Qeverinë Hoti.
Kuvendit të Kosovës iu bashkuan Ismet Beqiri, Visar Hoti dhe Faton Bislimi nga LDK-ja, si dhe Arbëreshë Krasniqi nga Nisma./FaktePlus