KQZ-ja e gatshme për zgjedhje, kurdo që të mbahen ato
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është deklaruar i gatshëm për zgjedhje të jashtëzakonshme, kurdo që ato do të mbahen tash pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kryeministri i Kosovës, dje pas mbledhjes së Qeverisë, dha lajmin për “dorëheqjen e parevokueshme”, gjë që zuri në habi edhe bashkëpartiakët e vet.
Valmir Elezi, zëdhënës në KQZ, tha për Koha.net se ky institucion është i gatshëm për zgjedhje kurdo që ato mbahen.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është institucion i përhershëm që detyrë kryesore ka organizimin e zgjedhjeve kurdo që kërkohet. KQZ-ja, gjithashtu do të përmbushë detyrat që dalin sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”, tha Elezi.
Partitë opozitare, Vetëvendosja e Lidhja Demokratike, i kanë bërë thirrje presidentit të Kosovës që sa më parë të caktojë datën e zgjedhjeve.
E ndërkohë, ato kanë thënë se nuk pranojnë asnjë takim ku do të diskutohej për mandatarin e radhës. /FaktePlus