KQZ ende pa raport për numrin e aplikimit të diasporës në regjistrin e votuesve
Dhjetë shtatori ishte dita e fundit për qytetarët e Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe të botës që të mbushin formularët e tyre për të figuruar në regjistrin e votuesve nga diaspora për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 6 tetor.
Mirëpo, pavarësisht që sot bëhen tri ditë që kur aplikimi ka përfunduar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ende nuk ka dalë me ndonjë raport se sa është numri i mërgimtarëve që kanë aplikuar për të qenë pjesë e zgjedhjeve të tetorit, shkruan FaktePlus.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për FaktePlus se ende nuk kanë raport për këtë çështje.
“Akoma nuk ka raport. Sapo ta kemi do ta bëjmë publike numrin”, ka thënë shkurt Elezi.
Ndërsa, i pyetur se kur pritet që të dihet numri i saktë i mërgimtarëve që kanë aplikuar për regjistrim, Elezi ka thënë se ndoshta në fundjavë mund ta bëjnë publik raportin.
“Ndoshta në vikend mund të dalim me raport”, ka deklaruar ai.
Diaspora e Kosovës llogaritet të jetë mjaft e madhe dhe nëse pjesëmarrja e saj në zgjedhjet që mbahen së shpejti është në numër më të madh, atëherë ato vota edhe mund të përcaktojnë fituesin e garës zgjedhore.
Kujtojmë se për dallim nga zgjedhjet e kaluara, ato të vitit 2017, kësaj radhe numri i ditëve për t’u regjistruar është rritur për katër ditë.
Deri në paraditen e së hënës, numri i aplikacioneve për të votuar jashtë vendit ka shkuar në 15 mijë e 200 persona./FaktePlus/.