KPM-ja synon t’ua ndalojë mediave raportimet nga gjykatat
Me vetë-iniciativë, Komisioni i Pavarur për Medie është futur në rishikim të dy dokumenteve me rëndësi: Rregulloren për mbrojtjen e fëmijëve dhe Kodin e Etikës.
Në ueb-faqen e saj, ka publikuar edhe draftet e dokumenteve në fjalë, dhe në Kodin e Etikës, më së shumti ndryshime janë propozuar në nenin 7, atë për të drejtat individuale.
Një prej pikave që u është shtuar, është pika 11, që mediave do t’u ndalonte publikimin e identitetit, pamjes ose informatave specifike të personave të dyshuar për krime, përveç nëse për ta ka një vendim të plotfuqishëm gjykate.
“11. OSHMA-ve nuk u lejohet të japin emrat, përshkrimin, pamjet, ngjashmëritë ose informatat specifike të ndonjë individi që gjoja ka kryer një krim, deri në nxjerrjen e një vendimi përfundimtar nga gjykata kompetente, përveç nëse për shkaqe të sigurisë publike, një gjë e tillë kërkohet nga organet e rendit në rastet e ndjekjes së personave të rrezikshëm për sigurinë e përgjithshme”, thuhet në pikën 11.
Një ndalesë e tillë, kishte ekzistuar në Kodin e Sjelljes për media, të vitit 2010, por që ishte hequr në tërësi në vitin 2016, kur është ndryshuar për herë të fundit, duke i hapur rrugë raportimit nga seancat gjyqësore.
Kryeshefi ekzekutiv i KPM-së, Luan Latifi, thotë se nevoja për rishikimin e Kodit, ka ardhur si pasojë e rasteve të shkeljeve të mundshme, por që nuk kanë qenë plotësisht të definuara me kodin në fuqi.
Përderisa ndryshimet e propozuara i konsideron vetëm kozmetike, Latifi thotë se dokumenti nuk është i përfunduar dhe mund të pësojë ndryshime, raporton KTV.
Ky institucion mund të përballet me një kërkesë të tillë shumë shpejt. Juristja e Medias, Flutura Kusari, ndalimin për raportim nga Gjykata e konsideron të papranueshëm dhe janë në pritje të sqarimeve nga KPM-ja.
Kusari shton se raportimi nga gjykatat është një prej të drejtave thelbësore të gazetarëve.
Dy dokumentet që janë në rishikim nga KPM-ja, kanë qenë në dëgjim publik nga data 9 dhjetor deri më 30 dhjetor të vitit të kaluar, derisa pritet që Komisioni të mblidhet së shpejti për trajtimin e tyre.