Kotësia e kushtueshme
Në ditët e fundit, kushdo që ka hyrë në ndonjërën nga libraritë e Prishtinës, ka pasur rastin që në raftet e librave të sapo botuar, të shohë një libër dy vëllimësh, me titull “Fjalori Enciklopedik i Kosovës”.
Ky fjalor, është një ndër botimet e fundit që ka nxjerrë Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës. I rëndë financiarisht, ky fjalor i tillë është edhe fizikisht. E tillë thuhet se ka qenë edhe puna e autorëve të tij, një punë disa vjeçare. Respekt për mundin e të gjithë atyre që janë ulur dhe kanë shkruar gjithë ato biografi të qindra emrave të përfshirë në faqet e këtij fjalori, por, kur përballesh me rezultatin e këtij mundi, një pyetje natyrshëm të vie në mendje: A ia ka vlejtur?
Kam përshtypjen se është një mund i çuar dëm. Jo për arsye kombëtare, siç tha Qosja, për të cilin gjithçka që bën Akademia është punë e mbrapshtë dhe antikombëtare, por për një arsye krejtësisht tjetër, e cila ka të bëjë me karakterin anakronik të këtij fjalori.
Ata që e kanë ideuar, konceptuar dhe realizuar botimin fizik të këtij fjalori, me anë të tij, kanë dëshmuar se u mungon krejtësisht sensi i kohës në të cilën jemi duke jetuar.
Për t’i rënë fare shkurt: Ne po jetojmë në epokën digjitale, në epokën kur e gjithë dija e krijuar nga njerëzimi, prej vizatimeve naive të njeriut të Neandertalit në parahistori, e deri hipotezat e kozmologjisë se Hawking-ut, i cili vdiq pak muaj më parë, gjendet në internet. Të gjitha informacionet, për çdo gjë dhe për gjithkënd, gjenden në internet. Madje në formën dinamike, e cila nënkupton refresh-in (freskimin) e vazhdueshëm të tyre, duke ndjekur në kohë paralele ndryshimet që ndodhin në subjektin e informaconit. Diçka që nuk mund ta bëjnë informacionet e dhëna në librat enciklopedikë të printuar. Sot, nuk ke fare nevojë të marrësh mundimin të shkosh në një librari apo bibliotekë për të blerë një enciklopedi dhjetë kilogramë të rëndë, e në të marrësh informacionin për këtë apo atë ngjarje a njeri. Mjafton të kesh një telefon a kompjuter portativ me vete, qasje në internet dhe pak edukatë kërkimi në bibliotekën e pafundme të google. Kushdo që ka thënë diçka, që ka shkruar diçka, që ka bërë diçka në sferën publike të jetës njerëzore, do të gjendet në këtë bibliotekë. Puna më e dobishme që mësuesit dhe profesorët sot mund ta bëjnë është t’i aftësojnë nxënësit dhe studentët për bërë atë që Umberto Eco e quante dallimi në mes materialit të besueshëm dhe materialit të çmendur që e ofron interneti.
Dështimi në identifikimin e këtij dallimi sot i ka shtyrë shumë vëzhgues e studiues të mendojnë se kemi hyrë në epokën e pas të vërtetës (post truth), e cila po rrezikon të rrënoj të gjitha standardet e dallimit në mes të vërtetës dhe gënjeshtrës, faktit dhe shpifjes, dijes dhe iluzionit. Beteja e domosdoshme për këto standarde mund të bëhet vetëm brenda sferës digjitale. Jo jashtë saj dhe me enciklopedi të formatit të printuar të vitit 1768. Me armët e vjetra të Gutenbergut nuk mund të fitohen betejat në kohën e Zuckerbergut.
Po si i bëhet me njerëzit që nuk u përkasin kategorive të krijimit intelektual? Si t’i gjejmë ata në google, në bibliotekën globale digjitale?
Revolucioni digjital ka rezervuar vend edhe për ta: facebook-un dhe mediat tjera sociale. Këto media e kanë jetësuar një hapësirë sociale ku të gjithë njihen me të gjithë, fshatin global, të cilin e kishte paralajmëruar dekada më parë filozofi kanadez i mediave, Marshall McLuhan, por edhe sociologu francez Jacques Ellull, i cili qysh në vitet ’50 të shekullit të kaluar, në veprën e tij “Shoqëria teknologjike” kishte folur për atë që sot e njohim si bota e internetit.
Në kontekstin e këtij revolucionit digjital, të botosh fjalorë enciklopedikë të printuar, me qëllim informimin e lexuesve, është si njësoj si të harxhosh para në shtypjen e fletushkave informative për t’i bërë të njohur njerëzit në fshatin e tyre. Është anakronike dhe për pasojë edhe qesharake. Është donkishotizëm botues.
Duke marrë parasysh gjitha këto zhvillime, vetë institucioni më i njohur në botë për botimin e enciklopedive, Enciklopedia Britanike, në vitin 2010, hoqi dorë nga editimi i volumeve të saj në formën e printuar, duke i dhënë fund kështu një tradite madhështore të filluar që në vitin 1768, në kohën e iluminizmit evropian, i cili besonte se me anë të përhapjes së edukimit racional dhe të kulturës letrare, do ta çlironte njerëzimin nga të gjitha të këqijat. Tani Enciklopedia Britanike vazhdon të botohet vetëm në versionin digjital. Do të ishte mirë që këtë zhvillim ta merrte parasysh Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, në mënyrë që sot të mos shfaqej si një institucion anakronik, i cili çon dëm para dhe mund njerëzor. Dëm që me plot meritë mund të quhet kotësi e kushtueshme.
(Opinioni i autorit është bërë për Gazetën Express)