Kostoja e jetesës, problemi më i madh i shqiptarëve
Gjatë periudhës 22 shtator- 02 tetor 2024, Datacentrum dhe Barometri – Euronews Albania ka pyetur ballë për ballë 1,000 qytetarë në të gjithë Shqipërinë lidhur me problemet kryesore në vend dhe zgjidhjen e tyre nga partitë politike.
Të pyetur në lidhje me tri problemet kryesore në vend, 46.1 për qind e qytetarëve kanë thënë se problemi kryesor në vend është kostoja e jetesës, 39.5 për qind e tyre emigrimi, 34.7 për qind korrupsioni dhe 27.8 për qind e tyre kanë thënë papunësia.
Më pas në përqindje më të ulët renditet niveli i krimit në vend, shëndetësia, arsimi, plakja e popullsisë etj.
Krahasuar me katër muaj më parë, problemet më kryesore në vend janë të njëjtat, por kanë ndryshuar renditjen e tyre.
Emigrimi në maj të 2024 perceptohej nga 54.8 për qind e qytetarëve si problemi kryesor në vend, ndërkohë që në shtator 2024 renditet i dyti si problem i identifikuar nga 39.55 për qind e qytetarëve. E njëjta gjë mund të thuhet për korrupsionin, që nga problem i katërt i renditur nga 26.9 për qind e qytetarëve në maj 2024, në shtator 2024 renditet problem i tretë nga 34.7 për qind e tyre.