Kosovës ende i mungojnë kuadro që trajtojnë fëmijët me autizëm
Gjithnjë e më shumë është duke u rritur numri i fëmijëve që po diagnostifikohen me çrregullimin e spektrit të autizmit në Kosovë. Përderisa statistikat në botë tregojnë se një në 68 fëmijë lind me autizëm, në Kosovë deri më tani nuk është bërë ndonjë hulumtim që tregon numrin e saktë të fëmijëve me autizëm.
Ndërsa, sipas të dhënave që posedon Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), deri tani janë identifikuar dhe janë rreth 200 nxënës të tillë që po vijojnë mësimet në shkollat kosovare.
Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie numri është më i lartë, me që siç thonë një numër i caktuar i fëmijëve me nevoja të veçanta nuk janë të diagnostifikuar.
Mirëpo derisa numri i fëmijëve me autizëm po rritet, Kosova po vazhdon të ketë mungesë të kuadrove të specializuara të cilët do t’i trajtojnë dhe mbështesin këta fëmijë.
Problemet e vështirësitë me të cilat po përballen janë të natyrave të ndryshme e në veçanti me pamundësinë e arsimimit dhe edukimit të tyre. Gjithë këto thuajse po bien vetëm mbi supet e prindërve.
Ka vështirësi të mëdha, mungojnë edhe asistentët
Logopedja, Arta Abdullahu në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, është shprehur se fëmijët me autizëm që vijojnë mësimet përballen me shumë vështirësi.
“Kosova ka mungesë të kuadrove të shkolluar për autizëm. Ne kemi nevojë të madhe, sepse fatkeqësisht numri i fëmijëve me autizëm është duke u rritur. Ka shumë logopedë, defektologë, psikologë, edukator special që merren me trajtimin e fëmijëve me autizëm dhe mundohen të ndjekin trajnime profesionale. Vështirësitë janë të mëdha ku shumica e fëmijëve që vijojnë shkollën kanë nevojë për mbështetje të asistenteve”, tha Abdullahu.
Ajo ka theksuar se fëmijët me autizëm përballen me mungesa nga më themeloret, të cilat në rrethana normale shteti do të duhej të siguronte kushte për ta.
“Për shkak mundësive financiare disa prindër t’i mbulojnë këto shpenzime që duhet shteti t’i mbulojë. E kjo po vazhdon të mbetët sfidë për prindërit. Në Kosovë mungesat janë themelore për fëmijët me autizëm. Trajtimi i këtyre fëmijëve varet nga përkushtimi dhe gjendja financiare e prindërve”, shpjegon Abdullahu.
Kosova ka mungesë të kuadrove të shkolluar për autizëm
Edhe Erza Ramadani, mbikëqyrëse e punës terapeutike në Shoqatën “Autizmi” në Prishtinë, ku trajtohen 43 fëmijë, ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se Kosova ka mungesë të kuadrove të shkolluar për autizëm dhe për Analizën e Aplikuar të Sjelljes (ABA).
“Kosova ka mungesë të kuadrove të shkolluar për autizëm dhe për Analizën e Aplikuar të Sjelljes (ABA), në përgjithësi në Kosovë, terapistët të cilët punojnë me fëmijët me autizëm janë psikologët, logopedët, punonjësit social të cilët kanë të përfunduara trajnime të ndryshme në fushën ABA. Shoqata “Autizmi” vazhdimisht punon në ofrimin e trajnimeve për fushën e autizmit, si për stafin, prindërit, studentët të cilët janë të interesuar në këtë fushë. Shpresoj që së shpejti do të ofrohen mundësi të reja për profesionistët duke ju ofruar mundësi për specializim në fushën e Analizës së Sjelljes, sepse në këtë mënyrë rritet edhe kualiteti i ofrimit të shërbimeve në vendin tonë”, thotë Ramadani.
MAShT, janë rreth 200 nxënës, por kjo shifër duhet të jetë më e lartë
Kurse zyrtari për informim në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Valmir Gashi, ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se për këtë kategori të nxënësve janë siguruar mësues mbështetës dhe asistent, por jo edhe staf të specializuar.
Kjo pasi që siç thotë ai, staf tjetër i specializuar nuk parashihet me legjislacion.
“Për sa i përket kuadrove të specializuara për këtë kategori të nxënësve në arsim ne i kemi mësuesit mbështetës dhe asistentet që tashmë kemi filluar me punësimin e tyre në shkolla. Staf tjetër të specializuar nuk parashihet as me legjislacionin në fuqi, por nuk është as përvojë e vendeve tjera. Specialistët tjerë që merren me fushën e çrregullimit të spektrit autistik dhe që ofrojnë programe specifike, rehabilitueset ofrohen nga institucionet tjera rehabilituese që nuk janë në domenin e MAShT-it”, sqaron Gashi.
Tutje ai thotë se mos diagnostifikimi i fëmijëve ka efekt në arsimin e tyre, pasi që në mungesë të kësaj mund të mos ofrohen shërbimet adekuate arsimore me kohë.
“Ne lidhje me nxënësit me çrregullime të spektrit autistik sipas të dhënave që në kemi, janë rreth 200 nxënës, por kjo shifër duhet të jetë më e lartë. Problemi qëndron se një numër i caktuar i fëmijëve me nevoja të veçanta nuk kanë fare diagnozë dhe si të tillë ne nuk mund të kategorizojnë në asnjërën prej llojeve të aftësisë së kufizuar. Çështja e diagnostifikimit të fëmijëve në Kosovë nuk bie ne domenin e MAShT, por ka efekt në arsimin e fëmijëve pasi që në mungesë të diagnozave mund të mos ofrohen shërbime adekuate arsimore të bazuara në nevojat individuale të fëmijëve përfshi edhe ata me çrregullime të spektrit autistik”, potencoi Gashi.
Kurse, për fëmijët me nevoja të veçanta të gjitha llojeve janë paraparë 86 mësues mbështetës.
Ndërsa zyrtari për informim në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Musa Demiri tha për FaktePlus se në bazë të ligjit aktualisht fëmijët e kësaj kategorie iu jepen nga 100 euro.
“Ne zbatojmë Ligjin për përkrahje financiare familjeve me fëmijë me aftësi të kufizuar të përhershme, ku nga kjo skemë përfitojnë edhe familjet që kanë fëmijë me autizëm. Shuma mujore për çdo fëmijë që përfiton nga kjo skemë është 100 euro”, tha ai.
Por, për këtë kategori, si dhe në përgjithësi për fëmijët në gjendje të nevojës sociale, përkujdesen edhe Qendrat për Punë Sociale në Kosovë që ofrojnë shërbime sociale dhe bëjnë përgatitjen e kërkesave të familjarëve të cilët aplikojnë për të gjithë fëmijët për të përfituar nga skemat shtetërore-përkrahje financiare.
MPMS-ja ka një bashkëpunim dhe koordinim mjaft të mirë me OJQ-të të cilat ofrojnë shërbime të specializuara për fëmijët në gjendje të nevojës sociale, me ç’rast bëjnë trajtimin e fëmijëve si me autizëm, ashtu edhe fëmijët tjerë që kanë nevojë për këto shërbime të specializuara.
Zëdhënësi Musa Demiri tregon se tashmë MPMS-ja është në proces të hartimit të projektligjit, i cili do të trajtojë dhe do të bëjë kategorizimin e personave me nevoja të veçanta, e nga i cili ligj do të përfitojë edhe komuniteti me autizëm.
Fëmijët e prekur nga autizmi, kanë një çrregullim kompleks që prek hapësira të shumëfishta të zhvillimit, duke përfshirë ndërveprimin social, komunikimin verbal dhe joverbal, imagjinatën, sjelljet dhe interesat. Simptomat e këtij çrregullimi shfaqen shpejt në jetë, ndonjëherë në foshnjëri, por përgjithësisht përpara moshës tre vjeç./FaktePlus