Kosovarja 13 vjeçare bëhet nënë
Një vajzë e moshës së mitur që ka vetëm 13 vjeç e ka lindur fëmijën e saj të parë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Bëhet e ditur se vajza e re e ka sjellë në jetë fëmijën e gjinisë femër në javën e 33 të shtatzënisë gjatë ditës së hënë, raporton FaktePlus.
Zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu tha se edhe pse lindja ka qenë e parakohshme, si fëmija nëna janë në gjendje të mirë shëndetësore.
“Nëna që ka vetëm 13 vjeç foshnjën e saj të gjinisë femërore e ka sjellë në jetë përmes lindjes normale. Lindja është kryer me datën 24 dhjetor. Pesha e bebes është 1900 gramë, ndërsa gjatësia 50 centimetra. Sipas dokumentacionit viti i lindjes se nënës është në vitin 2005”, ka thënë Fazliu për FaktePlus.
Për vitin aktual 2018 ende nuk janë publikuar statistika, por të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2017 tregojnë se brenda territorit të Kosovës nëpër institucionet shëndetësore ku ofrohen shërbimet gjinekologjike, janë kryer 23 mijë e 563 lindje.
Nga to, lindje të gjalla ishin 23 mijë e 402, ndërsa 161 ishin lindje të vdekura. Ndërkohë një numër i lindjeve janë kryer edhe jashtë territorit të Kosovës. Saktësisht janë 6 mijë e 712 lindje që janë kryer jashtë.
Ndryshe Kosova numëron 7 spitale të përgjithshme, në të cilat kryhen thuajse të gjitha shërbimet sikurse në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Këto janë qytetet e mëdha, si Prizreni, Ferizaj, Gjakova, Gjilani, Peja, Mitrovica dhe Vushtrria, por ka edhe në qytete tjera./A.S – FaktePlus