Kosovari i cili u martua me japoneze tani kthehet si biznesmen në Kosovë
Të rëndomta janë rastet kur një shqiptar nga Kosova ka migruar në shtetet e Evropës ose Shtetet Bashkuara të Amerikës (ShBA), por krejt e pazakontë është që një kosovar ta vazhdojë jetën e tij në shtete të largëta sikurse Japonia.
Mit’hat Haxhiislami, i njohur me nofkën Miki, përshtatje krejt e zakonshme e emrit për qytetin e lindjes së 55 vjeçarit, Pejën, rrëfen rrugëtimin deri në shtetin e fuqishëm të lindjes së largët.
Pejani që ishte njëri nga pesë fëmijët e familjes Haxhiislami, shkollimin fillor e kishte kryer në qytetin perëndimor të Kosovës, derisa shkollën e mesme të mjekësisë – drejtimi ‘teknik i dhëmbëve’ në Prishtinë, për ta vazhduar pas shërbimit ushtarak, fakultetin e mjekësisë – dega e Stomatologjisë në Universitetin e Prishtinës (UP).
Përkeqësimi i situatës në ish – Jugosllavi, respektivisht edhe në Kosovë, ishte shtytësi kryesor që ndikuan që MIKI, në vitin 1989, t’ia mësyjë rrugës së kurbetit.
“Shtegu i kësaj rruge nisi fillimisht në Kroaci, në Zvicër, në Gjermani, në Holandë dhe pastaj ndalova në Londër. Në vitin 1996 në Londër e takova një vajzë japoneze, me të cilën u martova dhe së bashku kemi një fëmijë, çun të shkëlqyeshëm me emrin Len, i cili tani është 21 vjeçar”, ka thënë Haxhiislami.
Ai ka treguar për Telegrafin se në vitin 2003 ka ndërruar vendbanim, ku nga kryeqyteti britanik u vendos në kryeqytetin japonez, Tokio, ku jetoj dhe punoj së bashku me familjen.
“Aktualisht e kam në pronësi kompaninë ‘INTERMEDICO JAPAN CO. LTD’, e cila është e specializuar kryesisht në prodhimin dhe shitjen e produkteve inovative për kujdes shëndetësor dhe atyre kozmetike”, ka shtuar Miki. Pejani 55 vjeçar ka treguar se më shumë se një dekadë e gjysmë në Tokio, është përballuar edhe më sfida e vështirësi të ndryshme.
“Vështirësitë kanë qenë të shumta dhe ende janë prezente, mirëpo fatmirësisht me vullnet të mirë dhe punë të madhe, unë i menaxhoj dhe përballoj ato me mjaft sukses. Ndërsa, sa i përket gjuhës japoneze, fatkeqësisht kam ngecur pak, dhe kjo ka disa shkaqe”, ka sqaruar Haxhislami.
Ai ka thënë se zotërimi jo shumë i mirë i japonishtes lidhet më faktin se në shtëpi ata flasin kryesisht anglisht, krejt kjo sipas tij, që djali i tyre, Leni, ta ketë një anglishte të rrjedhshme.
“Më pas arsye tjetër për japonishten jo shumë të mirë, është sepse e gjithë puna e tij ka të bëjë me tregun ndërkombëtar, ku gjuha angleze përdoret gjerësisht. Një ndër arsyet se pse jam shpërngulur në Japoni ka qenë zhvillimi i biznesit tim, për çka nevojitet përkushtim maksimal, prandaj edhe nuk kam gjetur kohë të mjaftueshme për t’u marrë me studimin e mirëfilltë të japonishtes, sepse për ta mësuar si duhet këtë gjuhë, sidomos shkrimin dhe leximin, duhen së paku 3 vite. Sidoqoftë, shkrimin dhe leximin e gjuhës japoneze e njoh shumë pak, mirëpo për komunikim nuk kam vështirësi”, ka theksuar Miki.
Shqiptari nga Kosova që tash e 17 vite jeton në kryeqytetin japonez, ka ndërtuar një storie suksesi të biznesit në këtë vend të lindjes së largët, duke ngritur një kompani e cila merret me prodhimin dhe shitjen e produkteve për kujdes shëndetësor dhe të kozmetikës.
“INTERMEDICO JAPAN CO. LTD’ është kryesisht e fokusuar në teknologjinë transdermale, dhe përmes produkteve tona përpiqemi t’i evitojmë maksimalisht efektet anësore që i shkaktojnë organizmit të njeriut barnat të cilat konsumohen përmes gojës. Thjeshtë merremi me ndryshimin e kulturës së përdorimit të barnave, që është puna më e vështirë dhe që merr kohë të gjatë, por që ia vlen jashtëzakonisht shumë, sepse kemi të bëjmë me mbrojtjen e shëndetit të njeriut dhe rritjen e cilësisë së jetës së tij. Derisa, risia jonë e fundit nga produktet e shumta që i kemi, janë maskat për sy, si me ngrohje (avull) ashtu edhe me ftohje”, ka shtuar Haxhislami.
Ai ka treguar për zhvillimet që po ndodhin në biznesin e tij, duke vënë theksin mbi lansimin e maskave të lartpërmendura, të nevojshme për shtendosjen e syve, të cilët po afekton çdo ditë e më shumë nga mënyrat e reja të jetës, veçanërisht përdorimi i madh i internetit.
“Rritja e shpejtë e shoqërisë së informacionit në të gjithë botën ka prekur veçanërisht personat e moshës 20 deri 30 vjet. Sipas një studimi të vitit 2014, kjo grupmoshë kalon mesatarisht më shumë se shtatë orë para një ekrani LCD. Mendohet se rreth 85 për qind e të gjithë informacioneve të marra vijnë përmes syve. Prandaj, ndërsa njerëzit rrisin ekspozimin e tyre ndaj monitorëve/ekraneve LCD, niveli i stresit të tyre rritet. Deri më tani nuk kishte asgjë në dispozicion për të ndihmuar zbutjen e dhimbjes së syve”, ka sqaruar pejani 55 vjeçar.
Sipas tij, maska me avull dhe më ngrohje ndihmon në zvogëlimin e lodhjes së syve, duke arritur efektin vetëm pas 10 – 15 minutash të përdorimit.
“Gjithashtu qetëson qarqet e errëta rreth syve, respektivisht ndihmon kundër ënjtjes së syve dhe stimulon qarkullimin e gjakut në zonën përreth syve. Ndërsa, ajo me ftohje mund të përdoret për reduktimin e syve te fryra, dhimbje të kokës, migrenës, syve të thatë, qarqeve të errëta nën sy, si dhe presionin e sinusit”, ka thënë ai.
Haxhiislami ka thënë për Telegrafin se biznesi të cilin e drejton ai është i shtrirë në më shumë se 35 shtete të ndryshme të botës, por më mirë sipas tij, qëndrojnë në Azi dhe Lindje të Mesme.
“Kurse sa i përket rajonit të Ballkanit, ne jemi prezent në Kroaci për më shumë se një dekadë, ku operojmë me produktin/brendin tonë më të shitur/njohur FRESCOPAD Cooling Gel Sheet (fashë xheli për ftohje). Ky produkt ndihmon në zbritjen e temperaturës së trupit, pa pasur nevojë të përdoret paracetamol për kokë-dhimbje, migrenë, dhimbje të dhëmbit, lëndime të lehta sportive, si dhe për ato ditë dhe netë të ngrohta të verës”, ka shtuar Miki.
Haxhislami ka treguar se nuk kanë munguar përpjekjet e tij që ta lansoi produktin që e prodhon kompania e tij në Kosovë dhe Shqipëri, por që fatkeqësisht sipas tij, nuk ka gjetur të interesuar për ta marrë përsipër shitjen e këtyre produkteve.
“Tani kemi vendosur këtë ta bëjmë vet. Së shpejti do ta themelojmë kompaninë tonë me emrin ‘INTERMEDICO JAPAN (EUROPE) LLC’, në Kosovë, e cila do të merret me shitjen dhe shpërndarjen e produkteve tona, jo vetëm në Kosovë dhe rajon, por në gjithë kontinentin e Evropës. Fillimisht do startojmë me produkte kozmetike, ‘maska hidro-xheli për fytyrë’ dhe ‘fasha hidro-xheli për sy’, pasi që janë shumë të kërkuara, kurse vitin tjetër do vazhdojmë edhe me ato për kujdes shëndetësor”, ka sqaruar ai, transmeton Telegrafi.
Haxhiislami duke rrëfyer vështirësitë e tij si kurbetçar, ka thënë se në periudhën që e ka ndërtuar jetën larg vendlindjes, ka pasur fat sipas tij, të takoi njerëz me të cilët ka krijuar miqësi dhe i kanë ndihmuar vazhdimisht.
“Vështirësitë janë të shumta, por unë sikurse në Londër, po ashtu edhe në Tokio, kam pasur fat të krijoj miqësi të afërt me shumë njerëz vendas të cilët më kanë ndihmuar pa masë. Këtu në Tokio, paralelisht me kompaninë time, e kam drejtuar edhe departamentin ndërkombëtar të një kompanie private medicionale japoneze me emrin ‘JAPANA MEDICAL CO., LTD’, për gati 7 vite (2004-2010). Aty më është mundësuar të mësoj thellësisht mënyrën e punës së tyre, çka zakonisht nuk i lejohet të huajve”, ka thënë ai.
Pejani ka treguar që të udhëheqësh biznes privat në Japoni si një i huaj, është gjë shumë e vështirë, mirëpo me vullnet të mirë dhe punë të palodhshme, kjo mund të arrihet. Për t’i ikur vështirësive të shumta që janë prezente në tregun domestik japonez, nga shtatori i vitit 2010, kanë vendosur të fokusohen në tregun ndërkombëtar.
Shqiptari nga Kosova që po ndërton jetën e tij tash e sa kohë në kryeqytetin japonez, ka folur për një mori tiparesh që i bëjnë japonezët të veçantë, duke numëruar respektin ndaj punës, ndaj punëdhënësit/kompanisë dhe eprorëve, vlerësimin e jashtëzakonshëm të kohës, mënyrën superiore të organizimit të punës dhe përcjelljen në përpikëri të udhëzimeve.
“Thjeshtë, Japonia dhe japonezët nuk janë të zakonshëm, dhe krijohet përshtypja se janë pjesë e ndonjë planeti tjetër, e jo të Tokës. Janë vërtetë unik në çdo aspekt. Mendoj se popujt tjerë mund të mësojnë nga ky popull se si respektohet intimiteti i tjetrit, si të vlerësohet koha maksimalisht, si të bëhen organizime jashtëzakonisht efikase, si të ofrohen shërbime të nivelit më të lartë, si të mbrohet kualiteti i çdo produkti, si të punohet në vetëdijesimin e qytetarëve se si të mbrohet ambienti dhe pastërtia e qyteteve/vendbanimeve të tyre”, ka shtuar Miki.
Thuhet shpeshherë se dashuria tejkalon kombet dhe racat njerëzore, e pikërisht këtë më së miri e vërteton edhe Mit’hati i cili është martuar më një japoneze, e duke e kurorëzuar këtë dashuri më një djalë, i cili quhet Len.
“Ç’do martesë e përzier përmban sfidë në vete. Mirëpo, unë personalisht kam qenë shumë fatlum, sepse si familja ime ashtu edhe nga familja e bashkëshortes, kemi hasur në mirëkuptim të plotë dhe përkrahje maksimale për këtë martesë. Fatmirësisht kemi qëlluar të dyja palët mendje-hapura, çka më bën shumë krenar”, ka shtuar ai.
Martesa e përzier krijon ndonjëherë vështirësi edhe tek fëmijët, mirëpo i biri i Mikit, Leni, këtë e ka marrë si përparësi.
“Sigurisht që anon më shumë nga e ëma, siç e bëjnë edhe shumica e çunave, por edhe me mua ka një relatë shumë të afërt. Ka qenë shumë herë në Kosovë, mirëpo herën e fundit – verën e vitit 2017 – për herë të parë ishte vetëm me mua, derisa babë e bir eksploronim trojet shqiptare. Përpos Kosovës, e vizituam Shqipërinë dhe Greqinë po ashtu. Ia kaloj për mrekulli, posaçërisht me fëmijët e xhaxhait të ndjerë, dhe hallave të tij. Për momentin ndodhet në Paris, ku është duke vijuar vitin e tretë të studimeve, si shkëmbim i studentëve mes universitetit të tij në Tokio, Keio University, dhe atij në Paris, Paris Diderot”, ka thënë Miki, transmeton Telegrafi.
Ndryshe, 55 vjeçari është njëri nga administratorët e faqes së Facebook-ut ‘Albanian Vintage Photography, people, cities, culture and history’, ku shfaqen fotografi dhe dokumente të vjetra të shqiptarëve ndër vite, e në të cilën janë rreth 30 mijë anëtarë.
Faqja është themeluar në vitin 2011, ku Haxhiislami ka treguar se prej asaj kohe ai me pasion është marrë më këtë angazhim vullnetar. Ai ka thënë se faqja ka një arkiv prej mijërave fotove që datojnë që nga viti 1858, vetëm 12 vite prej se është bërë fotoja e parë në botë, në vitin 1846.