Kosovarët që iu bashkuan luftës prej vitit 2012 në Siri
Ende dhjetëra kosovarë me familjarë të tyre (gra dhe fëmijë) vazhdojnë të jenë në vatrat e luftërave në vendet e krizës në Lindje, respektivisht në Siri e në Irak. Në një përgjigje për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, zyrtarë nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) kanë treguar se përveç 56 burrave që mund të jenë të përfshirë në luftime, atje janë edhe 44 gra, si dhe 108 fëmijë.
Shumë të rinj nga Kosova, disa prej tyre duke marrë me vete edhe gratë dhe fëmijët, iu bashkuan ISIS-it dhe al-Nusrës, degë e Al-Kaidës në vendet e Lindjes, ku edhe po vazhdojnë të zhvillohen luftimet.
Rastet e para të shkuarjes së kosovarëve në zonat e konfliktit në Siri e pastaj edhe në Irak u shënuan në mesin e vitit 2012.
Prej asaj kohe e deri më tani, që i bie për 7 vite në zonat e konfliktit janë 253 persona të gjinisë mashkullore që në periudha të ndryshme kanë udhëtuar për në zonën e konfliktit dhe të cilët trajtohen si luftëtarë të huaj terroristë.
E aktualisht në zonat e konfliktit, sipas një përgjigje me shkrim nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) thuhet të jenë edhe 56 meshkuj nga Kosova.
Në mesin e tyre janë edhe 48 fëmijë që kanë shkuar nga Kosova, si dhe 60 fëmijë të tjerë që kanë lindur atje, shkruan Agjencia e Lajmeve FaktePlus.
“Numri i ‘luftëtarëve’ aktual që gjenden akoma në zonën e konfliktit është 56, ndërsa numri i ‘luftëtarëve’ të kthyer në Kosovë, apo edhe në vendet tjera nga të cilat kanë udhëtuar për në zonën e konfliktit është 120. Këtyre ‘luftëtarëve’ iu kanë bashkëngjitur familjarë të tyre, në zonën e konfliktit, duke përfshirë: 51 gra dhe 52 fëmijë. Aktualisht në zonën e konfliktit gjenden 44 gra që shkuan me 48 fëmijë, si dhe 60 fëmijë tjerë të lindur në zonën e konfliktit, së paku nga njëri prind me shtetësi apo me prejardhje nga Kosova”, thuhet në përgjigjen e MPB-së për FaktePlus.
Ndryshe prej atyre që po vazhdojnë të luftojnë në ato zona të krizës, ka të tjerë që u kthyen në vendin e tyre, pra Kosovë.
Sipas të dhënave të MPB-së, janë 132 persona që pasi në një formë u përfshinë në luftimet e ISIS-it, u kthyen në Kosovë. Prej këtyre 132 personave, 120 janë meshkuj, kurse 6 gra, si dhe 6 fëmijë.
Derisa 132 persona arritën të kthehen në Kosovë, janë disa të tjerë që një gjë të tillë nuk e bën asnjëherë, pasi vdiqën në zonat e konfliktit.
Sipas të dhënave në këto luftëra që në mënyrë mizore morën jetën e shumë të pafajshmëve, mbetën të vdekur edhe 79 kosovarë, në mesin e tyre dhe një fëmijë që raportohet të ketë vdekur nga shkaqet natyrore.
“Numri i personave të kthyer në Kosovë apo edhe në vendet tjera prej nga kanë udhëtuar është 132, përfshirë këtu 120 meshkuj, 6 gra dhe 6 fëmijë. Numri i personave të vdekur në zonën e konfliktit është 79 persona, prej të cilëve 76 persona të gjinisë mashkullore të vrarë, ndërsa 3 persona, përfshirë këtu 1 person i gjinisë mashkullore, 1 person i gjinisë femërore dhe një fëmijë i lindur në zonën e konfliktit raportohet të kenë vdekur nga shkaqe natyrore”, thonë nga zyra e MPB-së.
Ndërkohë autoritetet e Kosovës, që nga viti 2013 deri më 2018 në kuadër të angazhimeve në luftën kundër terrorizmit edhe kanë arrestuar 155 persona.
Kurse në këtë linjë Qeveria e Kosovës kohë më parë ka miratuar edhe strategjinë 2015-2020 për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm.
“Ngjarjet që kanë ndodhur në vitet e fundit në Kosovë, Evropë, Lindjen e Mesme dhe më gjerë e kanë bërë të qartë nevojën dhe interesin e Republikës së Kosovës që të hartojë një strategji përmes të cilës do të koordinohen masat në forcimin e qëndrueshmërisë së shtetit dhe shoqërisë ndaj kërcënimeve që vijnë nga radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm”, thuhet në hartimin e kësaj strategjie.
Në këtë mënyrë, thuhet se Republika e Kosovës do të qëndrojmë së bashku me miqtë dhe aleatët në mbarë botën të cilët janë duke u përballur me këtë kërcënim të përbashkët.
“Kërcënimi më i madh aktualisht duket të jetë i ashtuquajturi ISIS me bazë në Siri dhe Irak, por që nuk përbënë as kërcënimin e parë dhe as të fundit për nga natyra e tillë me të cilin bota bashkëkohore ka të ngjarë të përballet”, thuhet mes tjerash në strategji./FaktePlus