Kosovarët morën 1 miliard euro kredi gjatë vitit 2019
Kosovarët vazhdojnë të jenë të interesuar të marrin kredi.
Vetëm brenda 11 muajve të vitit të kalaur, vlera e kredive që kanë marrë qytetarët e Kosovës në bankat komerciale në vend ka kaluar shifrën prej 1 miliard eurosh.
Kështu konfirmojnë nga Banka Qendrore e Kosovës.
Në një përgjigje për T7 nga BQK thonë se vlera e parave të deponuara është përgjysmë më pak se vlera e kredive të marra.
Pothuajse vlerë e njëjtë e parave të deponuara në bankat në Kosovë ishte edhe gjatë vitit 2018.
Për 10 muaj bankat komerciale patën fitim neto në vlerë prej 75 milionë eurosh.
Këtë fitim e konsiderojnë të lartë njohësit e ekonomisë.
Profesori i ekonomisë, Musa Limani thotë se politikat kreditore në vend janë ndër më të këqijat në rajon. Ai e sheh shqetësues faktin se shumë kredi që merren nga kosovarët janë të llojit konsumuese.
Limani sugjeron qeverinë e re që të krijojë mekanizma që të ndërhyjë në politikat kreditore në vend, e të krijohen lehtësira për bizneset e qytetarët.
Profesori Musa Limani, po ashtu kërkon që të rregullohet legjislacioni që mundëson kthimin fondit pensional dhe atij të privatizimit në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit dhe të ndërpritet ruajtja e tyre jashtë vendit.