Kosovarët me shpirt të thyer, nuk festuan 28 Nëntorin
Rrugë përplotë njerëz që mbështilleshin me flamurin Kuq e Zi, që në kokë mbanin plisat. Fëmijë që visheshin me tirqe e në duar mbanin flamurin që 107 vjet më parë ishte ngritur në Vlorë, nuk u panë edhe në këtë përvjetor.
Veç zymtësisë që ka rënë në fytyrën e çdo kosovari, janë edhe rrugët e zbrazura nëpër të cilat në 28 nëntoret e mëhershme, kalonin vetura me flamujt kombëtar e këngë kushtuar kombit.
As këto pamje nuk u panë. As sheshet që merrnin ngjyrën kuq e zi që simbolizon flamurin kombëtar. Në sheshet e Kosovës krejt çka mund të shohësh janë njerëz vullnet mirë që kanë dalë të mbledhin ndihma për shqiptarët e Shqipipërisë që u goditën nga tërmeti i fuqishëm e shkatërrues.
Në shenjë solidarizimi, Qeveria e Kosovës, komunat, e biznese të shumta anuluan çdo aktivitet dhe çdo mbrëmje muzikore që për çdo 28 Nëntor organizhoheshin nën tingujt e këngëve patriotike.
Sot, nëpër lokalet e Prishtinës, mund të dëgjosh vetëm sa për të mos mbizotëruar qetësia. Por, në çdo tavolinë, në çdo përshpëritje të njerzëve nëpër rrugët Prishtinës, e shesh, temë diskutimi është tragjedia që po përjetojnë shqiptarët në Shqipëri.
“E dhimbshme, shumë e rëndë, e papërshkruar, nuk di çfarë të them, por është një situatë shumë e rëndë. Duhet të jemi me ta, ne duhet t’i ndihmojmë ata”, është vetëm një prej bisedave që mund të dëgjosh teksa ecën rrugëve të Kosovës.
I madh e i vogël, të shëndosh e të sëmurë, të gjithë u aktivizuan në mëngjesin e hershëm të së martës për t’i dalë në ndihmë qytetarëve të Shqipërisë që u preken nga tërmeti.
Deri më tani kur po raportojmë numri i viktimave ka shkuar në 42, të cilët me orë të tëra kërkimi u larguan nga rrënojat e objekteve që u shaktërruan nga ky tërmet shkatërrimtar.
Në mesin e viktimave ishin edhe vëllezërit, Shemsedin e Isa Abazi nga “Livoçi i Epërm” i Gjilanit, që u varrosën sot në varrezat e fshatit.
Më poshtë sjellim fotografi nga Sheshet e Prishtinës.