Kosovarët mbesin qejfli të alkoolit, shkojnë edhe në Afrikë për të blerë raki
Qytetarët e Kosovës duket se janë të dhënë pas dëfrimit. Apo së paku janë qejfli të pijeve alkoolike. Ata përveç prodhimit të shumë pijeve vendore, për një vit pinë miliona litra pije alkoolike të të gjitha llojeve që importohen nga e gjithë bota. Për të blerë verë e raki, kosovarët po shkojnë deri në Afrikën e largët.
Ndonëse, në tregun e Kosovës zënë një vend të madh prodhimet vendore të alkoolit, për të përmbushur nevojat ai po vazhdon të importohet në mas të madhe edhe nga shtete tjera.
Të dhënat e Doganës së Kosovës dërguar për redaksinë e FaktePlus tregojnë se për periudhën 1 janar -18 dhjetor 2018 në Kosovë janë importuar 14,369,987.78 litra alkool të të gjitha llojeve. Për gjithë këtë sasi është paguar tatim për shtetin një shumë prej 11 milionë e 618 mijë euro.
Kurse i gjithë lloji i alkoolit të importuar në vitin 2017 ka qenë në sasi prej 14, 968, 985.11 litrave. Për këtë sasi janë paguar tatime në shtet 12 milionë e 184 mijë euro, shkruan FaktePlus
Llojet e alkoolit që importohen
Janë disa lloje të pijeve alkoolike që importohen nga vende të jashtme. Nëpër baret e kafenetë, por edhe markete përveç atyre që prodhohen në vend, mund të gjesh edhe këto lloje të pijeve alkoolike.
Lloji i alkoolit “birrë e bërë nga malti” konsumohet më së shumti, dhe deri më 18 dhjetor të këtij viti është importuar në sasi prej 12, 456, 213.96 litra dhe për të janë paguar taksa në vlerë prej 7 milionë e 639 mijë euro.
Lloji i dytë i alkoolit që konsumohet më së shumti në Kosovë është “alkool etilik jo i denatyruar i një force alkoolike ndaj volumit prej më pak se 80 % vol; pije alkoolike, likere dhe alkoole të tjera”. Ky lloj i alkoolit është importuar në sasi prej 1,054,573.70 lirave.
Mandej alkool etilik jo i denatyruar i një force alkoolike ndaj volumit prej 80 % vol apo më e lartë; alkool etilik dhe alkoole të tjera, të denatyruara, të çdo lloj force, – është importuar në sasi prej 65, 582. 23 litra.
Pastaj alkooli “verë prej rrushit të freskët, përfshirë verërat e pasuruara me alkool; musht rrushi” është blerë nga biznesmenët në sasi prej 655,769.63 litrave.
Lloji “pije të tjera të fermentuara (psh, musht molle, musht dardhe, hidromel); përzierjet e pijeve të fermentuara dhe pijeve jo – alkoolike, të papërfshira dhe të paspecifikuara diku tjetër”, janë importuar në sasi prej 133,782.66 litra.
“Vermuth dhe verëra të tjera prej rrushit të freskët, të aromatizuar me bimë apo me substanca aromatizuese”, është i importuar në vlerë prej 4,065.58.
Deri në Afrikë të Jugut për raki
Gjatë këtij viti, birra më së shumti u importua nga Maqedonia, në sasi prej 4,292,153.88 litrave. Vendi i dytë nga ku importohet ky lloj pije alkoolike është Serbia, ku sasia e birrës së importuar ka qenë 2,370,514.14 litra, birra të brendeve të ndryshme botërore. Nga Sllovenia janë importuar 1,972,846.77 litra, nga Holanda 1,025,203.66 litra, Mali i zi 1,888,337.04 litra, Meksika 337,820.84 litra, kurse Gjermania 120,499.18 litra.
Po ashtu, vendet tjera prej nga është importuar birra në këtë vit janë edhe Shqipëria, Rumania, Italia, Turqia, Hungaria, Belgjika, etj .. madje edhe nga India e Rusia, nga kjo e fundit është importuar birrë në sasi prej 258 litrave.
Edhe llojet e rakive e të verërave importohen kryesisht nga këto vende, por edhe të tjera. Madje alkooli, ndonëse në sasi më të vogël, po importohet edhe nga Afrika e Jugut. Nga ky vend, në këtë vit janë importuar 326.80 litra verë prej rrushit të freskët, përfshirë verërat e pasuruara me alkool.
Po nga Afrika janë importuar 288.80 litra alkool etilik jo i denatyruar i një force alkoolike ndaj volumit prej më pak se 80 % vol. Këso lloji produkti alkoolik sivjet pak është importuar edhe nga India, Gaboni e nga Bahamat, etj./FaktePlus