Kosova “vuan” për rezerva ujore, në Batllavë e Badovc niveli është -9 metra nën pikën maksimale
Mungesa e ujit të pijshëm ka qenë e vazhdon të mbetet një prej problemeve të mëdha në Kosovë. Jo rrallë qytetarë nga treva të ndryshme janë ankuar për mungesë të furnizimit apo furnizim të reduktuar me ujë të pijshëm. E së fundmi situatë emergjente është shfaqur në Gjilan. Atje sidomos gjatë verës, për shkak të thatësisë, por edhe tash po vazhdon të ketë probleme të tilla. Për FaktePlus nga rajoni i Gjilanit, Prishtinës e Prizrenit kanë thënë se aktualisht kanë furnizim normal, ndërsa jo edhe rezerva të mjaftueshme. Ndërkohë, edhe humbjet, sidomos ato komerciale të ujit po konsiderohen të mëdha.
Furnizimi me ujë po bëhet për qytetarët e Kosovës, diku 24/7 e diku me reduktime. Por, se ky furnizim do të vazhdojë të bëhet në mënyrë të pandërprerë, e se aty ku është keq do të përmirësohet, nuk garantohet.
Nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, kanë thënë për FaktePlus se aktualisht në 8 komunat që menaxhohen prej tyre, furnizimi është stabil dhe po mundohen të bëjnë shpërndarje të barabartë pas asnjë reduktim.
“Sa i përket furnizimit me ujë në 8 komuna që menaxhohen nga ne, furnizimi është stabil dhe po mundohemi të bëjmë shpërndarje të barabartë dhe pa asnjë reduktim të ujit. Niveli i ujit në liqene akumuluese, Batllava dhe Badoci tash është mbi 9 metra nën kuotën maksimale të kapërderdhjes”, ka thënë për FaktePlus Arjeta Mjeku, zëdhënëse në këtë institucion.
Ajo thotë se rezerva të mjaftueshme nuk ka, pasi kjo varet nga reshjet atmosferike.
“Nuk ka resurse të mjaftueshme të rezervave të ujit pasi që akumulacionet që ne i kemi varen vetëm nga reshjet atmosferike të shiut e borës. Kjo situatë vjen e ndërlikohet me zgjatjen e thatësirave si pasojë e ndryshimeve klimatike, prandaj ne kemi apele të përditshme që uji të shfrytëzohet racionalisht”, ka deklaruar ajo.
Kurse nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” që furnizon rajonin e Prizrenit, tregojnë se sa i përket rezervave afatshkurtra, në sistemin e ujësjellësit kanë të vendosur rezervuar në një vëllim total prej 25 mijë metrash kub.
Nga kjo kompani ‘krenohen’ edhe me burime afatgjatë, teksa theksojnë se kanë burime të mjaftueshme, duke ia shtuar edhe aktivizimin e pendave e burimeve të reja.
“Në rajonin e Prizrenit sa i përket rezervave afatshkurtra brenda zonës së shërbimit të kompanisë KRU “Hidroregjioni Jugor” sha, në sistemin e ujësjellësit, janë të vendosur rezervuarët me një vëllim total 25.000 m3 të cilët shërbejnë për balancimin në mes të prodhimit dhe konsumit ditor. Ndërsa sa i përket burimeve afatgjate , regjioni i Prizrenit posedon burime të mjaftueshme me ujë ku në kuadër të planit afatgjatë të investimeve, përfshihet edhe shtimi i kapaciteteve prodhuese duke aktivizuar ndërtimin e pendës së Manestericës dhe burimin e Vërmicës si dhe burimet e reja, ku të gjitha këto burime garantojnë furnizim të qëndrueshëm për rajonin”, ka thënë për FaktePlus Nderona Kurtaj, zëdhënëse në këtë kompani.
E nga qyteti i cili kohëve të fundit po ka probleme të shumta me furnizim me ujë, qyteti i Gjilanit tregojnë se furnizimi diku po bëhet pandërprerë e diku me reduktime.
Ndërsa në planin afatgjatë, kanë bërë të ditur se kanë kërkuar nga institucionet që të investohet në ndërtimin e dy tendave.
“Aktualisht jemi duke u furnizuar me ujë nga: burimi “Guri Hoxhës” 24h/7-ditë, “Penda e Përlepnicës” me reduktime nga ora 21:00 deri 06:00 mëngjesit, burimi “Baja” me reduktime nga ora 24:00 deri 06:00 mëngjesit, FPU-Velekincë, jemi duke furnizuar me ujë 24h/7-ditë. Në lokacionin te FSK-ja i kemi aktivizuar dy puse jemi duke furnizuar me ujë 24h/7-ditë. Shumë shpejt edhe një pus kemi me aktivizuar te FSK-ja. Po ashtu në lokacionin “Fidanisht” kemi paraparë të hapen dy puse. Kemi filluar me shpim për hapjen e një pusi. Sa i përket investimeve afatgjata kemi kërkuar nga institucionet, donatorët që të investohet në ndërtimin e Pendës te Lumi Llapushnica apo te Shusht në Letnic- Komuna e Vitisë”, ka thënë për FaktePlus Muhamed Suliqi, kryeshef ekzekutiv në KRU “Hidromorava”.
Çështje tjetër bazike dhe jetike, është edhe cilësia e ujit që përdoret për pijë. Së fundmi në shumë shkolla në Viti, analizat tregonin se uji ishte i kontaminuar, jo i sigurtë për pijë.
Monitorimi i ujit, sipas Udhëzimit Administrativ Nr.16/2012 për cilësinë e ujit për konsum nga njeriu, duhet të bëhet: Në pikat e nxjerrjes së ujërave sipërfaqësore dhe në burimet nëntokësore të destinuara për konsum nga njeriu; Në çfarëdo pike brenda sistemit të furnizimit të ujit, përfshirë burimet, infrastrukturën e bartjes, fabrikat e trajtimit, rezervarët e ruajtjes dhe sistemet e shpërndarjes; Në fabrikat paketuese të ujit nëpër shishe apo kontejnerë; Në ujin e paketuar në shishe apo kontejnerë, në çfarëdo faze të ruajtjes dhe shpërndarjes së tij e në ujin që përdoret për prodhimin e ushqimit dhe në ujin që furnizohet nga cisternat, të palëvizshme dhe lëvizëse.
Sipas Suliqit nga KRU “Hidromorava”, monitorimi bëhet sipas udhëzimit të lartcekur administrativ, ndërsa analizat kryhen si në zonat urbane e rurale, nga kompania, instituti regjional e rajonal i shëndetit publik.
“Analizat e ujit si në zonat Urbane dhe zonat Rurale, vazhdimisht i bënë: KRU “Hidromorava”, Instituti Regjional i Shëndetësisë Publike-Gjilan dhe nga IKSHP- Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike-Prishtinë. Monitorimi për cilësinë e ujit, bëhet në bazë të Udhëzimit Administrativ Nr.16/2012 për Cilësinë e Ujit për Konsum Njerëzor”, ka shtuar ai.
Nga KRU “Prishtina” kanë bërë të ditur se e kanë departamentin e cilësisë së ujit i cili mbledh mostrat e ujit nga burime të ndryshme, të cilat më pas analizohen në laboratore.
“Departamenti i cilësisë së ujit me planin e tij të monitorimit të brendshëm, ka në procedurë pikë së pari mbledhjen dhe marrjen e mostrave të ujit të përpunuar nga rrjeti i ujësjellësit, aeratorëve, liqeneve, puseve dhe lumenjve”, është shprehur Mjeku.
Sipas saj, cilësia e ujit kontrollohet dhe testohet me analiza fizike, kimike dhe bakteriologjike sipas standardeve të BE-së dhe ligjeve të Kosovës në fuqi.
“Cilësia e ujit është e kontrolluar dhe testuar me analiza fiziko-kimike dhe bakteriologjike sipas parametrave të cilët janë në Listën A dhe C në Udhëzimin Administrativ Nr.16/2012 për cilësinë e ujit për konsum nga njeriu”, ka deklaruar Mjeku.
“Laboratorët tanë të cilët janë të akredituar shfrytëzojnë metoda standarde për parametrat të cilat janë të aprovuara nga BE, sipas procedurës të cilat janë dhënë me Direktivën 98 (93) EC. Sipas planit ditor, javor dhe mujor për monitorimin e brendshëm të kualitetit të ujit në KRU ” Prishtina ” sh.a, të burimeve sipërfaqësore Albanik, Badoc, Bivolak, Mihaliq(Kanali Ibër-Lepencit) si dhe burimeve nëntokësore Kroni, Obiliq, Shtime, Lipjan, Peran (Podujevë), Miradi , Graqanicë dhe Vragoli si dhe pesëmbedhjetë pikat në rrjetin e qytetit , në aplikim të monitorimit të shpejtë bazik dhe vijues përcjellim kualitetin e ujit të pijshëm në çdo pikë mostrimi”.
Sipas Mjekut, afër 6 mijë e 850 mostra janë analizuar në 6 muajt e parë të këtij viti ndërsa ky numër pritet të arrijë në 13 mijë e 650 deri në fund të vitit.
Nga “Hidroregjioni Jugor” kanë bërë të ditur se analizat kryhen 4 herë në muaj ose në çdo fillim të javës dhe se monitorimi i cilësisë së tij bëhet çdo mëngjes të një dite pune.
“Analizat fiziko-kimike dhe bakteriologjike, në laboratorin tonë kryhen 4 heë në muaj ose më saktesisht në çdo fillim të javës dhe sipas analizave tona uji i plotëson standardet optimale për konsum human. Monitorimi i cilësisë bëhet çdo mëngjes të ditës së punës ku shikohen një varg parametrash”, ka deklaruar Kurtaj.
Sipas të dhënave të Autoritetit Rregullator për Shërbime të Ujit për vitin e kaluar, në total janë faturuar 66 milionë metra kub ujë, prej tyre mëse 48 milionë metra kub për kategorinë e konsumatorëve shtëpiak, e 6.5 milionë e gjysmë për konsumatorë institucional.
“Të dhënat e vitit 2018 tregojnë se uji i faturuar për kategorinë e konsumatorëve shtëpiak është 48,300,011m3; b) për konsumatorët institucional 6,554,006m3; c) për konsumatorë te bizneseve 5,761,122m3 dhe uji me shumicë 5,620,207 m3 e që në nivel sektori në total është 66,235,347”, ka thënë për FaktePlus Lule Aliu, zyrtare për informim në këtë institucion.
FaktePlus ka dërguar pyetje edhe në kompanitë tjera rajonale të ujësjellësit në vendin tonë, por nuk ka marrë përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.
Në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ekziston edhe Departamenti për Inspektimin e Ujërave.
Nga kjo ministri kanë thënë për FaktePlus se i kanë vetëm tre inspektorë për kontrolle dhe mbikëqyrje inspektive për respektimin e normave, shfrytëzimit dhe mbrojtjen e resurseve ujore dhe zbatimin e legjislacionit në fushën e ujërave.
“Por në ministri nuk kemi edhe të tillë për kontrollin e inspektimit të cilësisë së ujërave për pije”, kanë deklaruar nga ky dikaster.
Sipas ministrisë, inspektimet bëhen sipas planit të punës dhe rasteve.
FaktePlus po ashtu ka dërguar pyetje edhe në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës për çështjen e analizave të cilësisë së ujit por nuk kanë marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.
Problem jo i vogël janë edhe humbjet e ujit nga sasia e ujit të prodhuar, e që bëhen nga mënyra të ndryshme siç janë keqpërdorimet, kyçjet ilegale etj.
Të dhënat e Autoritetit Rregullator për Shërbime të Ujit të paaudituara për këtë vit, tregojnë se ka pasur 57 % humbje, e të cilat kryesisht janë komerciale.
“Sa i përket humbjeve të ujit nga sasia e ujit të prodhuar në përqindje janë 57% (të pa audituara), nga të cilat humbjet më të mëdha janë ato komerciale. Arsyet për këto humbje janë kryesisht nga kyçjet ilegale, bajpaset, leximi jo i rregullt i ujmatësve dhe keqpërdorimet e ndryshme”, ka bërë të ditur Lule Aliu, zyrtarë për informim në këtë institucion.
Për 6 mujorin e parë të këtij viti, sipas të dhënave të tyre për sektorin publik është prodhuar 75,716,850 m3 ujë.
Në nivel sektori janë gjithsej 122 burime prej nga qytetarët e Kosovës furnizohen me ujë: Nga KRU ‘Prishtina’ 12 burime; KRU ‘Hidroregjioni Jugor’ 44 burime; KRU ‘Hidrodrini’ 22 burime; KRU ‘Gjakova’ 7 burime; KRU ‘Mitrovica’ 2 burime; KRU ‘Hidromorava’ 14 burime dhe KRU ‘Bifurkacioni’ 21 burime. Lejet për shfrytëzim të këtyre burimeve lëshohen nga MMPH-ja./FaktePlus