Kosova të kthehet në model për mbrojtjen e të drejtave të njeriut
Kryeministri i Republikës, Ramush Haradinaj ka thënë sot se Kosova ka traditë dhe ligje që kanë peshë dhe që japin garanci për të drejtat e njeriut.
Ai bëri këto deklarata gjatë një takimi të Grupit Koordinues Ndërministror për të Drejtat e Njeriut në Republikën e Kosovës.
Kryeministri tha se institucionet e Kosovës deri tani kanë arritur që të miratojnë ligje të rëndësishme për respektimin e të drejtave të njeriut.
“Ne në Kosovë, jo më shumë se dy dekada më herët, e dimë se si janë cenuar të drejtat e njeriut. Pra, Kosova duhet të kthehet në një model se si duhet të mbrohen të drejta e njeriut”, tha Haradinaj.
Ai tha se Kosova jo vetëm me ligje e Kushtetutë, por ka edhe një traditë për të respektuar të drejtat e njeriut.
“Krahas bazës ligjore duhet shtuar edhe humanizmin tonë që njihet në gjithë botën”, tha mes tjerash Haradinaj.