Kosova shënon Ditën e Internetit të Sigurt
Dita e internetit të sigurt është manifestim vjetor që ka për qëllim të promovojë përdorim të përgjegjshëm, të mirëfilltë, kritikues dhe kreativ të internetit dhe teknologjive, veçanërisht nga fëmijët dhe të rinjtë.
Dita e internetit të sigurt këtë vit shënohet me 11 shkurt në më shumë se 150 vende të botës.
Miliona njerëz i bashkohen ngjarjes “Së bashku për një internet më të mirë” përmes aktiviteteve dhe ngjarjeve të shumta, të organizuara nga të gjithë përkrahësit e ditës së internetit të sigurt.
Edhe këtë vit, Komiteti Kosovar për Ditën e Internetit të Sigurt – KKDIS i udhëhequr nga Qendra për Studime të Avancuara FIT (anëtare e rrjetit ndërkombëtarë Safer Internet Day), shënon ditën e internetit të sigurt duke organizuar aktivitete të ndryshme. Me qëllim që të nxis shoqërinë për të punuar më shumë, ashtu që fëmijët të kenë përvojë më të mirë në internet, janë planifikuar fushata vetëdijësuese për fëmijë e të rinj të të gjitha komuniteteve, debate dhe forume me prindër e mësimdhënës, dhe shumë aktivitete tjera.
“Në ditën e internetit të sigurt ju ftojmë të gjithëve që së bashku të kontribuojmë për një internet më të mirë. Të gjithë jemi përgjegjës të bëjmë ndryshime pozitive në internet. Ne të gjithë mund të shfaqim pozitivitetin në mënyra të ndryshme në internet: duke qenë të sjellshëm dhe duke respektuar të tjerët, Duke krijuar përmbajtje pozitive dhe duke raportuar përmbajtje dhe sjellje të papërshtatshme ose të paligjshme në internet”, thuhet në komunikatë.