Kosova renditet mes shteteve më të fuqishme në garën e Dubait
Aktualisht, nga 191 vende të botës, Kosova renditet në mesin e top 20 vendeve të para me më së shumti raunde dhe pikë të fituara.
Kosova fitoi raundet në përballje me shtete të fuqishme në fushën e robotikës, si Rusia, Franca, Gjermania, Sllovenia dhe vende tjera.
Gjithashtu, mentorit të ekipit përfaqësues të Kosovës në këtë garë, Erjon Ahmeti, i është ndarë medalje nga organizatorët e kësaj gare, si tutori më i mirë i ekipeve të të gjitha shteteve pjesëmarrëse.
Gara më e madhe në fushën e robotikës që po mbahet në Dubai, do të zhvillojë punimet edhe nesër, më 27 tetor 2019.
Ekipi përfaqësues i Kosovës tash e disa muaj është përgatitur në laboratorët e mekatronikës në UBT, teksa punën e kanë zhvilluar nën mbikëqyrjen e stafit akademik të këtij institucioni arsimor dhe bashkërisht e kanë ndërtuar robotin inovativ me të cilin ekipi po garon në FIRST Global Challenge 2019.