“Kosova po humb 400 milionë euro investime” – Ambasadori i Gjermanisë ngre alarmin
Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde ka deklaruar se përderisa Kosova ka mbetur e angazhuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, nevojiten shumë më tepër përpjekje për të zbatuar marrëveshjet dhe për të vazhduar dialogun konstruktiv me Serbinë.
Sipas tij, Gjermania në vazhdimësi ka ofruar ndihmë thelbësore për institucionet e Kosovës në zbatimin e reformave thelbësore të nevojshme për procesin e integrimit në BE, jo vetëm dypalëshe me rreth 800 milionë euro, por edhe me kontribute të konsiderueshme në programet IPA të BE-së.
“Jam veçanërisht i lumtur që shoh përparimin e Kosovës në sektorin e tyre digjital. Miratimi i strategjisë së E-Qeverisjes, zgjerimi i shërbimeve përmes E-Kosova dhe përpjekjet për uljen e barrës administrative po ua lehtësojnë jetën qytetarëve kosovarë. Përderisa Kosova ka mbetur e angazhuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, megjithatë nevojiten shumë më tepër përpjekje për të zbatuar marrëveshjet dhe për të vazhduar dialogun konstruktiv me Serbinë”, tha ai.
Ai ngriti si shqetësim edhe mos miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, ku tha se Kosova po humb afërsisht 400 milionë euro investime.
“Meqë jemi sot këtu në Kuvend, dëshiroj të shpreh edhe shqetësimin tim për progresin e kufizuar të avancimit të vërejtur në punimet e Kuvendit. Dëshiroj të theksoj mungesën e vazhdueshme të bashkëpunimit ndërpartiak, veçanërisht për mua është shqetësuese mos miratimi i deritanishëm i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës. Jo vetëm nga projektet gjermane, por populli i Kosovës është i privuar nga afërsisht 400 milionë euro investime. Të gjitha palët duhet të angazhohemi në lidhje me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve sepse po e pengon rëndë zhvillimin e Kosovës. Sfidat vazhdojnë edhe në fusha kyçe si reforma e administratës publike, sistemi gjyqësor dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ai vlerësoi shumë përpjekjet e rëndësishme dhe integritetin e treguar nga qeveria, zbatimi efektiv duhet të trajtohet tani.
“Trajtimi i çështjeve që lidhen me të drejtat e komuniteteve të pakicave dhe lirinë e shprehjes mbetet jetike. Raporti i vendit të BE-së për Kosovën duhet të shihet dhe të përdoret si një kujtesë për autoritetet kosovare për reformat që kërkohen në thelb për avancimin në procesin e integrimit në BE. Këtu dua të theksoj një pikë shumë të rëndësishme, angazhimi i qëndrueshëm nuk nevojitet vetëm nga qeveria, por duhet edhe nga i gjithë Kuvendi kur bëhet fjalë për mbështetjen e agjendave jetike të reformave. Duhet të merren masa të vazhdueshme për të adresuar në mënyrë sistematike sfidat e theksuara në raport. Dëshiroj ta mbyll fjalën time duke i uruar sërish qytetarët e Kosovës për liberalizimin e vizave. Më vjen mirë që nga 1 janari mund të udhëtoni lirshëm. Qeveria gjermane do të vazhdojë të mbështesë institucionet e Kosovës në ndërmarrjen e reformave të nevojshme për avancimin e procesit të integrimit në BE, dhe ne të gjithë e dimë përderisa ato nuk njihen në BE, është e vështirë të avancohet në dhënien e statusit të vendit kandidat. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme të arrihet një përparim në procesin e normalizimit. Shpresoj të shoh një diskutim të frytshëm sot. Mezi pres të dëgjoj rezultatet nga Tabela Evropiane e Inovacionit 2023”, tha ai.