Kosova për një vit mori mbi 800 milionë euro nga diaspora
Paratë e ardhura nga mërgimtarët që jetojnë nëpër vende të ndryshme të Evropës dhe botës vazhdojnë të jenë burim i rëndësishëm i mbijetesës dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë. Të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, tregojnë se diaspora kosovare vetëm gjatë vitit 2018 ka dërguar mbi 800 milionë euro, duke shënuar kështu rritje në krahasim me vitet paraprake.
Dërgesat e mërgimtarëve vazhdojnë të jenë një burim i rëndësishëm i të ardhurave në Kosovë, e në të njëjtën kohë edhe burim i rritjes ekonomike në vend.
Qytetarët e Kosovës të cilët jetojnë nëpër vende të ndryshme të Evropës dhe botës vazhdimisht dërgojnë shuma të mëdha të mjeteve financiare tek familjet e tyre, shkruan FaktePlus.
Remitencat shënuan rritje
Të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), tregojnë se shuma e remitencave të dërguara nga diaspora e Kosovës, jo vetëm që ka vazhduar, por edhe ka shënuar rritje.
Zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se vlera e remitencave ka shënuar rritje për 42.1 milionë euro gjatë vitit 2018 në krahasim me vitin paraprak.
“Vitin e kaluar, vlera e dërgesave që mërgimtarët i kanë dërguar në Kosovë ka arritur në 800.8 milionë euro. Vlera e remitencave ka shënuar rritje për 42.1 milionë euro nëse krahasojmë vitin 2018 me vitin 2017. Në vitin 2017, vlera e remitencave të dërguara nga mërgimtarët arriti në vlerën prej 758.7 milionë eurosh. Ndërsa në vitin 2016, vlera e remitencave ishte 691.1 milionë euro”, ka thënë Ahmeti për FaktePlus.
E para Gjermania, mandej Zvicrra e ShBA
Bazuar në shënimet zyrtare, llogaritet se janë mes 700 – 800 mijë qytetarë të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës.
E remitencat e pranuara në Kosovë, që njëherësh paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore, sipas të dhënave të BQK-së, zakonisht dhe kryesisht vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian, ShBA-ja, por edhe shtete të tjera.
Këtë e konfirmon edhe zëdhënësi Kushtrim Ahmeti, i cili theksoi se shtetet gjermanfolëse janë adresa kryesore e remitencave për shtetin e Kosovës.
Ai tha se vetëm vitin e kaluar nga shteti gjerman për shtetin e Kosovës janë dërguar 119,7 milionë euro.
“Kosova vazhdon të marrë remitenca nga shtetet gjermanofolëse, aty ku është e përqendruar më së shumti diaspora jonë. Në listën e shteteve gjermanofolëse prinë Gjermania nga e cila vetëm vitin e kaluar janë dërguar 119.7 milionë euro. Pas Gjermanisë, shteti i dytë nga ku më së shumti dërgojnë remitenca është Zvicra e përcjellë nga ShBA-ja, Italia, Austria etj”, tha ai.
Sipas tij, disa prej familjeve të Kosovës burim kryesor të të ardhurave e kanë nga remitencat dhe se kryesisht dërgesat e mërgimëtarëve janë për t’i ndihmuar familjet dhe studentët në Kosovë.
“Remitencat në Kosovë dërgohen në vlera të vogla dhe që shërbejnë për të ndihmuar familjet dhe studentët”, shtoi ai.
Ndërsa, i pyetur se ku listohet shtetit i Kosovës për sa përket shkallës së të ardhurave nga shtetet e jashtme, zëdhënësi Ahmeti tha se Kosova renditet në vendin e katërt.
“Nëse e bëjmë krahasimin me shtetet e rajonit (Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia), duke u bazuar në databazën e Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitin 2017, Kosova renditet e katërta për nga shuma e remitencave që i dërgon diaspora”, ka thënë Ahmeti.
Si do qoftë, shuma e dërgesave nga mërgimtarët në vit konsiderohet të jetë edhe më e lartë, pasi që një pjesë e mjeteve hyjnë në Kosovë edhe përmes formave tjera, të cilat mund të mos përfshihen në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës.
Ekspertë të ekonomisë shumë herë kanë vlerësuar se pa dërgesat e qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, norma e varfërisë në Kosovë do të ishte shumë herë më e lartë.
Po ashtu, ata kanë rekomanduar që shteti të bëjë politika që remitencat të mos shfrytëzohen vetëm për mbulimin e shpenzimeve të konsumit personal, por gjithashtu të shfrytëzohen për investime të dobishme, të cilat do të siguronin gjenerim të qëndrueshëm të të ardhurave./FaktePlus