Kosova nuk duhet t’i rrezikojë interesat strategjike amerikane
Paralajmërimet amerikane nuk e kanë shtyrë ende Qeverinë e Kosovës që të ndryshojë qëndrim sa i përket heqjes apo pezullimit të taksës doganore prej 100 për qind për produktet me orgjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Pavarësisht se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili është edhe lider i Partisë Demokratike të Kosovës, si subjekti më i madh në koalicionin qeverisës, u shprehën të gatshëm për pezullimin e tarifës për 120 ditë, kryeministri Ramush Haradinaj këmbëngulë në njohjen e Kosovës si shtet nga Serbia, si kusht për pezullimin e tarifës.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka thënë javë më parë përmes një deklarate se veprimet që minojnë dialogun, përbëjnë qëndrim kundër interesave të SHBA-së.
“Shtetet e Bashkuara insistojnë se veprimet që minojnë dialogun, pengesat nga anash, dhe refuzimi për të pezulluar tarifat – gjitha këto shkojnë kundër interesave të SHBA-ve”, ishte thënë në deklaratë.
Vendimi i Qeverisë për mbajtje në fuqi të taksës edhe nga analistët politikë në Kosovë po shihet si veprim kundër interesave amerikane./rel