Kosova në “paralizë institucionale”, kriza mund ta përcjellë edhe në vitin 2020
Kanë kaluar dy muaj e gjysmë nga mbajtja e zgjedhjeve dhe tashmë Kosova është në një “paralizë institucionale”.
Krejt kjo situatë erdhi si pasojë e mos formimit të qeverisë nga dy partitë të cilat dolën fituese në zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
E për këtë analisti Imer Mushkolaj tha se janë bërë pengesë vetëm postet politike.
“Tash jemi në një situatë ku është më se e domosdoshëm që koalicioni qeveritar të krijohet sa më shpejt. Por, po duket se jo parimet, por thjesht çështjet që kanë të bëjnë ekskluzivisht me pozita në pushtet po zvarrisin ende krijimin e koalicioneve. Pra, jemi në një situatë kur LDK-ja me kushtëzimet për postin e presidentit dhe ministrit të Punëve të Brendshme po e zvarrit krijimin e koalicionit. Ndërkohë që LVV nuk po lëshon pe në këtë aspekt”, tha Mushkolaj.
Më tej, ai shtoi se Kosova nuk ka qenë asnjëherë në gjendje me të keqe politike që nga shpallja e pavarësisë, dhe komoditeti i politikanëve është shqetësues.
“Mos të harrojmë se Kosova si shtet në kuptimin e prezantimit ndërkombëtar asnjëherë nuk ka qenë më keq që prej shpalljes së Pavarësisë se sa që është tash. Dhe kjo fatkeqësisht është kthyer në një gjendje normale. Pra është rregull e nuk është përjashtim”, ka theksuar Mushkolaj.
Madje këtij ngërqi politik e krizës, siç thotë Mushkolaj po i ndihmojnë edhe grevat nga sindikatat të cilat janë të motivuara politikisht.
“Kemi edhe fillimin e një far lloj zgjimi të sindikatave të cilat po kërkojnë që të dalin pagat në rritje bazuar në Ligjin për Pagat, ndërkohë që ky ligj është në gjykatën Kushtetuese e për këtë…kam përshtypjen se sindikatat në vazhdimësi, për të mos thënë të gjitha, shumica prej tyre janë të ndikuar politikisht edhe sidomos në situata të tilla, ngërçi politik dhe kriza ato menjëherë ngjallen apo ringjallen për të kërkuar të drejtat e tyre siç thonë ata…në një far forme sindikatat kanë qasje shantazhuese karshi qeverive dhe jo vetëm kësaj që pritet të vjen”, tha ai.
Ndërsa, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj tha se zhvillimet e fundit në vend nuk janë të mira për askënd.
Ai tha se presin më shumë nga qeveria e ardhshme dhe mos të përballen më me këso situata.
“Nuk po kërkojmë diçka të re, kjo që është le të zbatohet. Do të ndihesha më së keqi në Kosovë që sindikata jonë të dilte me diçka të papritur e të paarritshme. Ne po themi, ligjin e bëri parlamenti, shteti tha do ta zbatojmë, atëherë le ta zbatojnë. Kurgjo ma shumë”, potencoi Jasharaj.
E se vendi mundë të futet në një krizë serioze gjatë vitit 2020 ekonomike e thotë edhe kryetari i Odës Ekonomike e Kosovës, Berat Rukiqi.
“Çfarëdo lloj vonese mund të na fut në krizë serioze dhe në probleme të likuiditetit nën përgjithësi qoftë të sektorit publik apo edhe privat”, tha Rukiqi.
Tashmë jemi vetëm pak ditë para përfundimit të vitit dhe Kosova po vazhdon të mbetet në një krizë, e cila mund të dërgojë vendin edhe në zgjedhje të reja.
Sipas analistëve partitë fituese është dashur të merren vesh më parë dhe jo tani të zvarrisin negociatat, pasi që ata që vuajnë pasojat janë qytetarët e Republikës së Kosovës./FaktePlus