Kosova në NATO brenda vitit 2025
Zëvendësministri i Mbrojtjes së Kosovës, Burim Ramadani, ka thënë se rruga e Kosovës për në NATO do të finalizohet deri në vitin 2025. Ai ka theksuar se aktualisht NATO po e finalizon zgjerimin me tri shtetet fqinje të Kosovës.
“Tash kur po finalizohet zgjerimi i NATO-s me tri shtetet në fqinjësi tonë, rruga e Kosovës drejt NATO-s pavarësisht sfidave do të përmbyllet në më pak se një dekadë. Pra, brenda periudhës deri me 2025, Kosova do të arrijë të anëtarësohet në NATO”, ka thënë Ramadani.
Sipas numrit dy të Ministrisë së Mbrojtjes, janë dy dimensione tejet të rëndësishme për t’u finalizuar kjo.
“Së pari, një qasje e drejtë strategjike e komunikimit sepcifik Kosovë-NATOdhe anasjelltas. Së dyti, një varg reformash kryesisht ligjore dhe të verifikimit të sigurisë për të forcuar besueshmërinë në funksionalitetin e sundimit të ligjit në Kosovë, sidomos në nivelet e qasjes në informacione të klasifikuara”, ka theksuar ai.
Ramadani është shprehur i sigurt se kjo është e arritshme. /FaktePlus