Kosova në fazën e fundit të dialogut do të kërkojë Gjykatë Speciale për Serbinë
Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, ka thënë se duhet gjetur një zgjidhje sa i përket kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për pezullimin e taksës dhe vazhdimin e dialogut, në mënyrë që Kosova të mos prishet me Amerikën, por edhe ruajtjen e interesave të Kosovës. Gashi në pjesën e dytë të intervistës për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, ka thënë se kushti i Kosovës për dialogun me Serbinë është njohja reciproke.
Gashi ka shtuar se nëse njohja dhe kushtet tjera, siç janë të pagjeturit, dëmet e luftës, e shumë tema tjera, nuk janë në tavolinë atëherë edhe nuk kanë çfarë të ulen për të diskutuar me palën serbe.
Zëvendëskryeministri Gashi ka kritikuar edhe sjelljen e opozitës, dy partive politike, LDK-së dhe Vetëvendosjes, të cilat nuk e kanë përkrahur as platformën, as projektligjin për dialogun, duke thënë se platforma i përmban të gjitha kërkesat e parashtruara qysh më parë nga opozita.
FaktePlus: Z. Gashi jeni edhe anëtar i ekipit shtetëror për dialogun me Serbinë, është diskutuar dhe miratuar platforma dhe ligji, pa pjesëmarrjen e dy partive opozitare, LDK-VV. Cili është roli dhe kompetencat e ekipit me këtë ligj dhe platformë?
Gashi: Së pari është relativisht ose shumë e pakuptueshme sjellja e opozitës. Platforma i përmban absolutisht të gjitha temat, kërkesat që i ka propozuar opozita prej fillimit të debatit. Aspektin e integritetit territorial, aspektin kushtetues, aspektin e dëmeve ekonomike, dëmeve të luftës, të pagjeturit, të gjitha temat e mundshme që janë përmendur jo vetëm nga opozita por nuk kemi lënë vend për kritikë as nga opozita për shkak se mendojmë njëjtë, ashtu mendon shumica e Kosovës. Por këto taktizimet e opozitës janë vetëm sa për të penguar. Ka mënyra të ndryshme për ta rrëzuar Qeverinë, ishte çështja e buxhetit, edhe është legjitime tentativa për ta rrëzuar Qeverinë nga çdo opozitë, mirëpo kjo është edhe e dëmshme e edhe e panevojshme. E njëjta opozitë mendon që duhet të mbahen zgjedhjet të vij qeveria e ardhshme dhe kjo të udhëheq por prapë do t’i duhet një opozitë. Nuk po e kuptojë se si do ta fusin një sistem tjetër pastaj që Qeveria do të veproj vet pa opozitën. Mirëpo, i njëjti skenar është, nëse kjo opozitë nuk i jep përkrahje, jo sy mbyllur, por përkrahje që do të debatojë t’i shtrojë kërkesat e veta ashtu që pjesërisht i ka bërë një pjesë e opozitës, PSD-ja. Atëherë nuk e di sa legjitime është edhe kjo kritikë që e bëjnë. Sepse po të kishte në aspektin tematik, përmbajtësor diçka të papranueshme në platformë, këtu është Kuvendi debatohet ndryshohet dhe shkojmë tutje. Mirëpo e keni parë se është çështje taktizimeve partiake, përveç dialogut që nuk është temë.
FaktePlus: Megjithatë, Serbia po e kushtëzon Kosovën që të rifillojë dialogun me heqjen e taksës, a ka Kosova ndonjë kusht me të cilin e kushtëzon dialogun?
Gashi: Janë pjesë e platformës, kushti numër një është njohja e Kosovës, kushtet tjera janë ato që ne kërkojmë të jenë në tavolinë, nëse nuk janë atëherë nuk kemi çka ulemi. Edhe ato janë pjesë e platformës, është shembull çështja e krimeve të luftës të Serbisë në Kosovë që nuk është hapur kurrë. Edhe në këtë platformë është e shkruar së ne kërkojmë një gjykatë të ngjashme siç është Gjykata Speciale për pjesëtarët e UÇK-së, që të jetë edhe për pjesëtarët e forcave të armatosura të Serbisë që kanë marrë pjesë në luftën në Kosovë dhe nuk iu besojmë po aq sa nuk na kanë besuar neve Serbia dhe tjerët, nuk i besojmë aq më pak Serbisë se do të merret vet në mënyrë të paanshme me ato krime. Prandaj është kërkesë shumë legjitime. Çështja e personave të pagjetur është temë po ashtu e ndjeshme, dhe e kemi futur prej prioriteteve kryesore të dialogut. Pastaj vijnë dëmet e luftës dhe të tjerat. Këto nuk janë tema që i ka vendosur Serbia si tema në Bruksel, por i kemi vendosur ne.
FaktePlus: Që do të thotë se ju nuk do të uleni në dialog në qoftë se nuk plotësohen këto kushte?
Gashi: Natyrisht, nëse Serbia nuk pranon të bisedojë për këto tema, nuk kemi çka të bisedojmë. Do të thotë nuk mund të bisedojmë vetëm për çka duan ata.
FaktePlus: Si do të gjendet zgjidhja rreth taksës, meqë ata po e duan heqjen?
Gashi: Ata e kanë gjetur një arsyetim komod që t’i ikin dialogut, sepse është e qartë se ata po e luajnë rolin e viktimës. Ju e dini në fillim Vuqiqi e Daçiqi dilnin me deklaratë se do të ketë krizë humanitare në veri, natyrisht nuk ka pasur as atë K-në e krizës, e le më krizë, ose dëmin e madh që po iu bëhet Serbisë, që nuk qëndron. Mirëpo, e kanë gjetur këtë rrafsh që të vendosin presionin ndërkombëtar ndaj nesh duke thënë se ne jemi ata që po e bllokojmë dialogun. Ata duhet të mendojnë për largimin e arsyeve pse është vendosur taksa, të agresivitetin që sillen. Ju e dini çfarë kanë bërë për mos pranimin tonë në UEFA e FIFA e çka vazhdojnë të bëjnë në gara të ndryshme sportive, e lerë më për anëtarësim në INTERPOL e organizata tjera që janë me rëndësi. Dhe ne nuk kemi parë deri sot një deklarim të qartë të Serbisë se do të heq dorë nga këto, sepse këto kanë qenë arsyet pse kanë sjell deri të këto masa ndaj tyre.
FaktePlus: Megjithatë, kemi një presion të madh edhe nga shtetet mike siç është SHBA, pse s’po merren parasysh këshillat e tyre?
Gashi: Natyrisht ne i marrim parasysh. Nuk kisha thënë që ne po refuzojmë heqjen e taksës. Nuk është arbitrare kjo, ne mendojmë që duhet të plotësohen kushtet për largimin e taksës. Një prej kushteve, edhe pse nuk marr unë vendim, sepse ky është vendim kolektiv, duhet të rikujtoj që ky vendim ka ardhur pas obstruksioneve që bërë Serbia pikë së pari rreth INTERPOL-it, mirëpo kjo ka qenë ajo kupa e mbushur me problemet që i ka nxjerrë Kosovës nga viti 1999, ka ardhur deri të kjo. Ne natyrisht duhet të bëjmë gjithçka që të mos prishemi në asnjë mënyrë me Amerikën, por edhe t’i ruajmë interesat tona.
FaktePlus: Por, kryeministri po thotë që vetëm me njohje e heq taksën?
Gashi: Njohja është qëllim i të gjithëve, nëse ne me taksë mund të arrijmë njohjen aq më mirë. Mirëpo dialogu është një prej mënyrave se si të arrijmë te njohja, ashtu siç po thonë edhe miqtë tanë ndërkombëtarë, edhe Vuçiqi e ka pranuar në mënyrë indirekte që kjo do të jetë rezultati final pastaj ne duhet të shohim se si e menaxhojmë situatën prej këtu deri në vendimin final.
FaktePlus: Jeni me Kadri Veselin apo Ramush Haradinajn, sa i përket taksës?
Gashi: Jo, jo nuk kam nevojë unë as të jem me Kadriun, as me Ramushin. Unë jam që të gjejmë një zgjidhje që mbron interesat e Kosovës, por nuk prish miqësinë me Amerikën dhe besoj se këso zgjidhje ka plotë. Së pari Serbia duhet të tregojë se heq dorë nga masat destruktive që prishin stabilitetin në rajon, që e ndotin atmosferën ndëretnike këtu./FaktePlus