Kosova me mijëra nxënës më pak dhe me qindra që e kanë braktisur shkollën
Në gjithë nivelin arsimor parauniversitar të Kosovës sivjet për shkaqe të ndryshme janë gati 5 mijë nxënës më pak krahasuar me vitin e kaluar. Të dhënat e Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë tregojnë se edhe braktisja e shkollës nga nxënësit vazhdon të mbetet çështje shqetësuese. Vetëm sivjet në nivelin fillor të arsimit janë gjithsej 228 nxënës që kanë braktisur shkollën.
Braktisja e shkollës nga nxënësit vazhdon të mbetet çështje shqetësuese si për institucionet përkatëse, po ashtu edhe për ekspertët e arsimit.
Në statistikat e Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), vërehet se viteve të fundit, janë qindra nxënës që kanë braktisur shkollën.
Konkretisht këto braktisje vërehen tek nxënësit e shkollës fillore. Ndërkaq, meshkujt janë ata që më shumë e kanë braktisur shkollën.
“Vetëm në vitin shkollor 2017/2018, janë gjithsej 228 nxënës të shkollës fillore të cilët kanë braktisur shkollën. Nga ky numër, janë 132 nxënës (meshkuj), dhe 96 femra, që kanë lënë shkollimin fillor”, thuhet në një përgjigje të zyrtarëve të MASHT për FaktePlus.
Deri tek braktisja e shkollimit primar, sipas zyrtarëve të MASHT ka ardhur si pasojë e shumë faktorëve, si individuale, familjare, por edhe faktorët social.
Njohësi i çështjeve të arsimit në vend, profesor Dukagjin Popovci ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se institucionet nuk do të duhej të ndiheshin komode për këtë numër të braktisjeve.
Ai thotë se arsyet e braktisjeve ndodhin për arsye financiare ose për nivelin e vetëdijes së familjeve për të nxitur fëmijët për të vijuar shkollimin.
“Shkalla e braktisjes së shkollimit të obligueshëm në Kosovë është i vogël, mirëpo kjo nuk do të thotë që të kemi komoditet sepse mbi 200 fëmijë për një vit shkollor e kanë lëshuar shkollën. Pra, bëhet fjalë për fëmijë që vijnë nga familje që e kanë gjendjen e vështirë financiare e që nuk mund t’i përballojnë shpenzimet ose niveli i vetëdijes është ende i tillë që nuk mund ta nxisin fëmijën për ta vijuar shkollën. Prandaj institucionet duhet të marrim masa të veçanta për ta parandaluar braktisjen e shkollimit të obligueshëm”, ka thënë ai.
Ai tutje vlerëson se statistikat e MASHT-it edhe mund të mos jenë të sakta, pasi shkollat në vend nuk evidentojnë rastet në hollësi të braktisjes së shkollimit.
“Këto statistikat e braktisje nganjëherë nuk janë edhe të sakta për shumë arsye… Kemi edhe raste që emigrojnë, por kemi edhe familje që nuk jetojnë nga gjysmë viti në Kosovë, pra gjatë verës familja shkon jashtë për të punuar kurse në muajt e dimrit kthehen në vendin e vet. Pra, numri i braktisjeve do të duhet të ishte më i madh po të evidentohej më hollësisht”, ka thënë Popovci.
Edhe pse sivjet janë 228 nxënës të nivelit fillor të cilët kanë braktisur shkollën, të dhënët e MASHT-it tregojnë se në vitet e mëhershme ka pasur numër më të madh të braktisjes.
Konkretisht viti 2010 ka shënuar numrin më të madh të braktisjes së shkollës në nivelin fillor dhe të mesëm me gjithsej 3 mijë e 208 nxënës.
Ndërkaq, të dhënat të cilat i posedon FaktePlus tregojnë se krahasuar me vitin e kaluar sivjet në gjithë nivelin arsimor parauniversitar të Kosovës si shkaktar i lindjeve më të pakta dhe faktorëve tjerë, janë gati 5 mijë nxënës më pak apo saktësisht 4740 nxënës.
Shifrat e MASHT thonë se aktualisht në Kosovë në shkollimin fillor vijojnë mësimin gjithsej 244 mijë e 677 nxënës, kurse vitin e kaluar shkollor kishte një numër prej 239 mijë e 937 nxënës./FaktePlus