Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e gjeneratës së re të hakerëve
Siguria kibernetike dhe privatësia vazhdojnë të jenë sfidë serioze për Kosovën. E për këtë çështje ka ardhur në Kosovë dhe i ka dhënë për disa ditë radhazi njohjet e tij, Benjamin Kunz Mejri, që ndryshe vlerësohet të jetë njëri nga hakerët më të mirë të botës.
Në fakt, Mejri renditet në mesin e 5 hakerëve më të mirë në botë dhe në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus ka thënë se gjatë qëndrimit në Kosovë ka parë mjaft shumë persona të pasionuar pas teknologjisë.
E duke parë pasionin, Mejri ka thënë Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e gjeneratës së re të hakerëve për shkak të moshës së re që ka vendi jonë.
Tutje ai, ka folur edhe për nivelin e sigurisë së Kosovës në aspektit kibernetik dhe ndjeshmërinë e saj që ka para një fenomeni të tillë, i cili është kthyer në një kërcënim në Evropë dhe botë.
Sikurse në konferencën tri ditore që është mbajtur në Prishtinë “Conference CSP IV Prishtina”, Mejri ka kërkuar edhe gjatë bisedës me FaktePlus që të fillohet me motivimin e njerëzve që të merren me shumë me sigurinë kibernetike dhe privatësinë.
FaktePlus: Cili është qëllimi i vizitës tuaj në Kosovë?
Mejri: Kosova po fillon të hyjë në procesin e digjitalizimit. Nëse shoh vendet e ndryshme të Ballkanit sipas meje, e shoh që Kosova duhet të ballafaqohet me shumë probleme që i ka përpara për të shkuar më tej, për të mësuar, për të zgjeruar mënyrën e integrimit në procesin e digjitalizimit.
Në të vërtetë unë kam kërkuar që të fillojë edukimi për sigurinë kibernetike dhe privatësinë në këtë konferencë dhe për të motivuar njerëzit të fillojnë këtë projekt për të kuptuar këto gjëra dhe për të shkëmbyer informacionet që ata kanë. Kjo është në thelb arsyeja pse unë jam këtu, ka lidhje edhe me diplomacinë, jam këtu për të ndihmuar njerëzit, për të shkëmbyer informacionet dhe gjithashtu për të bërë miq.
FaktePlus: Në një vend të vogël si Kosova, a shihni potencial për zhvillimin e hakerëve?
Mejri: Unë shoh një potencial të madh këtu, për shkak të rrethanave dhe biznesit i cili nuk ka akoma një zhvillim të lartë, kështu që dështimet e të tjerëve mund të prodhojnë një infrastrukturë të tillë, e cila krijon hapësirë për formimin e hakerëve dhe e zhvillojnë atë në mënyrë që të mos dështojnë në rrugën e tyre dhe të lëvizin në një formë që t’u bashkëngjiten edhe të tjerë.
FaktePlus: Sa është real kërcënimi i hakerëve rus në Evropë, rreth çështjes së sigurisë?
Mejri: Unë mendoj, se çdo vend ka njerëz që sulmojnë vende të tjera dhe varet nëse një sulm i është drejtuar komplet një vendi, ose .. sulmuesit po përpiqen ndoshta të bllokojnë një institucion të caktuar. Unë nuk mendoj se rusët janë më të rrezikshëm ndaj evropianëve në krahasim me amerikanët. Sepse çdo vend po rritet dhe po zhvillon teknika për të marrë sa më shumë informacione.
Nga e gjithë kjo, dua të them se nuk ka rëndësi se cili vend është sulmuar, thjesht ata janë të interesuar për informacionin e atij vendi.
FaktePlus: Cili është mesazhi juaj për të rinjtë e Kosovës, a duhet të zhvillojnë aftësi në këtë drejtim në të ardhmen?
Mejri: Unë mendoj se Republika e Kosovës duhet të fillojë proceset për të krijuar një ambient, i cili do t’i bashkonte hakerët, por edhe për t’i lidhur ata me institucionet qeveritare në mënyrë që të ndihmojnë vetë institucionet.
Por, kjo do të ndodhte vetëm nëse ata bashkohen, në mënyrë që të sjellin suksesin për njëri – tjetrin, probleme të cilat ndoshta mund t’i zgjidhnin së bashku dhe të vendosin standarde.
Kështu që Kosova ka aftësinë për ta bërë këtë, mendoj se kjo mund të arrihet për një apo tre vjet, edhe për të eliminuar problemet që Kosova ka në sigurinë kibernetike.