Kosova i përgjigjet Serbisë për Arbitrazhin: Nëse keni kohë e para rrini gjithë ditën para gjykatës
Autoritetet e Republikës së Kosovës i janë përgjigjur Serbisë lidhur me ankesat e saj dhe dërgimin e lëndës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit për taksën prej 100 për qind të vendosur nga Kosova për mallrat serbe qysh në nëntor të vitit të kaluar.
Ka më shumë se katër muaj që zyrtarët e lartë të Serbisë, ankohen çdo javë për humbjet që i ka shkaktuar taksa 100 për qind ka vënë Qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe.
Madje ata gjatë ditës së sotme deklaruan se Serbia po e shqyrton Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit për shkak të taksës prej 100 për qind të vendosur nga Kosova.
Por, zyrtarë të lartë nga Republika e Kosovës i kanë dhënë një përgjigje zyrtarëve të Serbisë lidhur me nismën e tyre për Arbitrazhin.
Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, ka ripërsëritur se vendosja e taksës është e drejtë e Qeverisë së Kosovës.
Ai e ka quajtur këtë veprim si joracional, të pa bazë dhe vetëm humbje kohe për Serbinë.
“Aspak. Ne fare s’jemi të brengosur për atë punë. Hiç fare. Serbët kur duan le të shkojnë në Gjykatën e Arbitrazhit, e nëse kanë kohë, le të rrinë gjithë ditën atje. Është e drejtë e jona me vendos taksën, ndërsa ata le të ankohen në Arbitrazh. Ata kanë kohë dhe le të harxhojnë para për këtë”, tha shkurt Shatri për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës më 6 nëntor, të vitit të kaluar, fillimisht kishte vendosur taksë doganore 100 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Por vetëm pak ditë më vonë, më 21 nëntor të vitit 2018 Qeveria e Kosovës mori vendim dhe taksa doganore u ngrit në 100 për qind.
Nga taksa Serbia ka humbur qindra miliona euro, kurse kapacitetet prodhuese në Kosovë kanë shënuar rritje dhe rrjedhimisht ka pasur ndikim edhe në hapjen e vendeve të reja të punës.
Por, duhet thënë se vendosja e taksës 100 për qind, në anën tjetër ka bllokuar dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi po kërkojnë nga Prishtina zyrtare që të pezullojë këtë taksë, në mënyrë që t’i jepet mundësi vazhdimit të dialogut.
Por, Qeveria e Kosovës, të paktën deri më tani, nuk është zmbrapsur nga vendimi për tarifën 100 për qind, i cila vazhdon të mbetet në fuqi./FaktePlus