Kosova eksportoi për një muaj vetëm 24 milionë, e importoi mbi 232 milionë
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar gjatë ditës së premte të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin shkurt 2019.
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 14.1% në muajin shkurt 2019, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018, gjegjësisht në vlerë prej 208,6 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 182,8 milionë euro në vitin 2018.
Sipas të dhënave shihet se eksporti mbulon importin me vetëm 10.3%.
ASK bëri të ditur se eksporti i mallrave në muajin shkurt 2019 kishte vlerën 24,0 milionë euro, ndërsa importi 232,7 milionë euro, ku është një rritje prej 7.4% për eksport dhe 13.4% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 30.7% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 15.1% e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 14.6% e përbëjnë prodhimet minerale; 9.6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.1% e përbëjnë prodhimet bimore; 4.5% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 3.9% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 15.5% e përbëjnë produktet minerale; 12.1% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 11.8% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10.8% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8.7% e përbëjnë mjetet e transportit; 6.8% e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 6.7% e përbëjnë prodhimet e industrisë kimike, etj.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 8,4 milionë euro, ose rreth 35.1% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 40.4%.
Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (7.5%), Sllovenia (5.2), Holanda (5.1%), Britani e Madhe (3.0%).
Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 115,8 milionë euro, ose 49.8% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 26.4%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11.9%), Italia (5.9%), Sllovenia (5.8%), Greqia (4.6%), Bullgaria (3.2%) etj.
Në muajin shkurt 2019, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s arritën në 11,7 milionë euro, ose 48.7% të eksporteve të përgjithshme me një rritje prej 20.0%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (19.8%), Maqedonia (13.8%), Serbia (7.2%), Mali i Zi (7.0%).
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin shkurt 2018 arritën në 33,2 milionë euro, ose 14.3% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-36.7%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia (6.8%), Shqipëria (6.4%) dhe Serbia (0.2%).
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 3,8 milionë euro, ose 16.2%.
Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: Zvicra (7.1%) dhe India (4.0%).
Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 83,5 milionë euro, ose 35.9%.
Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (10.9%) dhe Kina (9.7%).