Kosova diskriminohet në Spanjë (Foto)
Kosova U-21 ka mësuar sot shortin për kampionatin botëror të hendbollit Spanja 2019.
Mirëpo, ajo që nuk pritej ndodhi në hedhjen e shortit. Në shortin e hedhur sot, kombëtarja e Kosovës përfaqësohet me logon e Federatës së Hendbollit të Kosovës, dhe jo me flamurin e shtetit të Kosovës.
Por sekretari i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Izet Gjinovci ka deklaruar se FHK ka reaguar menjëherë dhe shumë shpejtë pritet që drejtuesit e Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit të ndërhyjnë.
“Po e kemi parë, në atë mënyrë kanë vendosur që të na prezantojnë. Ne kemi reaguar menjëherë tek Federata Ndërkombëtare e Hendbollit dhe presim që ata të reflektojnë dhe ta ndryshojnë. Tashmë dihet arsyeja se pse kjo ka ndodh, pasi që Spanja nuk na njeh”, është shprehur Gjinovci, njofton Federata e Hendbollit të Kosovës.
Botërori mbahet në muajin korrik në Spanjë, vend ky që e kundërshton fuqishëm Pavarësinë e Kosovës.
Në shortin e publikuar Kosova është në Grupin C së bashku me Portugalinë, Kroacinë, Hungarinë, Brazilin dhe Bahreinin.