Korrje-shirjet drejt fundit, Kosova as këtë vit nuk e siguron bukën për një vit
Fushata e korrje-shirjeve është shtrirë në të gjithë vendin dhe shumë shpejt do të përfundoj. Kosova për çdo vit ka të mbjella rreth 50,000 deri në 60,000 hektarë por që prej tyre nuk arrin të sigurojë bukën e nevojshme për një vit. Pjesa tjetër e nevojave të grurit pritet të sigurohet nga importi, sikur viteve të kaluara.
Sezoni e korrje-shirjeve në Kosovë, tashmë është në fazën e fundit. Nga Ministria e Bujqësisë thuhet se deri më tani janë të kënaqur me redimentetet e grurit për këtë vit, gjë që sipas tyre do të vazhdojë deri në fund të kësaj sezone e që do të jetë java e parë e gushtit.
Ministria njofton se rendimenti mesatar që pritet të jetë për këtë vit sillet të jetë në mes të 4300 deri në 5000 kg/ha.
“ Bazuar në informatat e grumbulluara nga tereni gjatë realizimit të procesit të korrje-shirjeve, rendimenti mesatar për kulturën e grurit, këtë vit, pritet të jetë i kënaqur ndërmjet 4300 deri 5000 kg /ha. Mirëpo, se sa do të jetë saktë rendimenti mesatar i grurit për vitin 2020, do të informoheni në momentin kur përfundon i gjithë procesi”, thuhet nga ministria për FaktePlus.
Pritja që këtë vit të ketë rendiment më të madh të grurit krahasuar me vitin e kaluar, sipas ministrisë është për arsye se sivjet janë mbjellë sipërfaqe më të mëdha të tokës me grurë.
“Dallimi me vitin e kaluar është se sa i përket sipërfaqeve të mbjellura me grurë, këtë vit janë më të mëdha, e po ashtu edhe sa i përket rendimentit mesatar, pasi që deri më tani rendimentet e arritura janë më të larta në krahasim me vitin e kaluar”.
Po ashtu, ministria nënvizon se nga 62381 ha grurë sa janë mbjellë në gjithë territorin e Kosovës, 70 për qind e tokave të mbjellura veçse kanë përfunduar me korrjen.
“Procesi i korrje-shirjeve këtë vit ka filluar në Prizren dhe Suharekë dhe pastaj është zgjeruar në mënyrë graduale edhe në komunat tjera. Bazuar në informacionet që i kemi pranuar nga tereni, deri më tani realizimi i korrje-shirjeve është zhvilluar sipas planifikimeve dhe nuk ka pasur ndonjë pengesë ose vështirësi të theksuar”, theksohet nga ministria.
Gjatë vitit kaluar sipërfaqja e tokës se mbjellur me grurë ka qenë vetëm 50 mijë hektarë, ndërsa në vitin 2018 kjo sipërfaqe ka përfshirë 74 mijë hektarë.
Sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë nevojat për këtë produkt për kokë banori janë 205 kilogramë, që i bie se në Kosovë duhet të harxhohen 410 mijë tonë grurë.
Kosova ndër vite sipas MBPZHR-së ka siguruar 55 deri në 80 për qind të nevojave, ndërsa pjesa tjetër e nevojave të grurit është siguruar përmes importit.
Por, sipas tyre, ka kompani të cilat kanë arritur të eksportojnë miell jashtë vendit.
Deri në përfundim të fushatës së korrje-shirjeve nuk mund të dihet saktë se cili është rendimenti dhe sa për qind të nevojave do t’i sigurojë Kosova nga toka e vet, por sipas ministrisë së Bujqësisë, këtë vit do të ketë rritje e mund të ketë edhe rekord.