Koronavirusi shtyn samitin për ndryshimet klimatike
Një samit i rëndësishëm për ndryshimet klimatike i paraparë të mbahej në Glasgow do të shtyhet për vitin e ardhshëm, për shkak të krizës së shkaktuar nga koronavirusi.
Njoftimi është bërë përmes një deklarate të përbashkët nga Mbretëria e Bashkuar dhe OKB-ja, pas një ‘takimi virtual’ të zyrtarëve.
Dhjetëra liderë botërorë kishin paralajmëruar pjesëmarrjen në mbledhjen COP26, që ishte vendosur të fillonte nga 9 nëntori i këtij viti në Glasgow.
Tani pritet që konferenca të zhvillohet nga mesi i vitit të ardhshëm.
Përderisa virusi po vazhdon të përhapet në të gjithë botën, ka pasur pritje në rritje javët e fundit që bisedimet e COP26 të shtyhen.
Rreth 30,000 delegatë, gazetarë dhe aktivistë mjedisorë pritej ta ndiqnin takimin.
Ndryshe Kampusi i Ngjarjeve Skocese ne Glasgow, ku pritej të mbahej samiti, është vendosur të bëhet një spital i përkohshëm për të strehuar pacientët e prekur nga Covid-19.