Koronavirusi rriti çmimet e maskave edhe në Kosovë
Paniku nga infektimi prej koronavirusit ka çuar në shumëfishimin e çmimeve të produkteve higjeno-sanitare nëpër vende të ndryshme të botës. E ky virus ka ndikuar edhe në vendin tonë. Në Kosovë çmimi i një maske të thjeshtë është rritur 100 për qind. Prej 5 centësh për copë sa shitej deri para pak ditësh, tani çmimi i një maske ka rritur në 10 centë.
Përhapja e virusit që po sjell vdekjen nëpër botë, e sidomos në Kinë, aty edhe ku u shfaq për herë të parë, është bërë kryetemë globale.
Vdekjet e shumta, deri tani të rreth 2600 personave dhe infektimi i rreth 80 mijë personave, detyruan vende të shumta që të ndërmarrin masa parandaluese ndaj përhapjes koronavirusit.
Përkundër masave koronavirusi nuk ka mundur të ndalet dhe raste të reja janë shënuar në disa vende të Evropës, madje së fundi Italia është përfshirë më shumë nga ky virus i rrezikshëm.
Vetëm për dy ditë në këtë shtet janë infektuar qindra persona dhe janë shënuar 5 viktima.
Kjo ka bërë që shtetet përreth të mobilizohen, duke marrë masat e duhura për t’u parandaluar.
Si mjet kryesor për mbrojtje nga ky virus janë maskat e ndryshme.
Port, në shumë vende të Evropës e të botës, çmimet e tyre janë rritur që nga shfaqja e virusit.
Në ditën kur njoftoheshin me dhjetëra raste të infektuara në vendin fqinj, Italinë, çmimet e disa objekteve sanitare kanë mbërritur në stratosferë, thonë mediat vendase.
Është rritur po kështu dhe çmimi i maskave mbrojtëse, ndërsa edhe dezinfektantë të tjerë, nga 4 euro, shiten 26. Ka njoftime edhe se po nisin të vihen re mungesa e maskave në treg.
Ashtu siç dyshohej gjatë fundjavës, disa farmaci e supermarkete i kishin mbaruar stoqet e tyre të artikujve dezinfektues, megjithatë autoritetet shëndetësore i kanë ftuar njerëzit që të ruajnë qetësinë, e thonë se furnizimet nuk do të mungojnë.
Duke u ndalur pikërisht tek maska, një nga produktet më të kërkuara ditëve të fundit në markete e farmaci, këto të fundit kanë rritur çmimet edhe në Kosovë.
FaktePlus ka vizituar disa nga farmacitë në kryeqytet, ku ka pyetur për çmimet e maskave të thjeshta që ekzistojnë dhe thuajse në të gjitha çmimi i një maske të thjeshtë është rritur 100 për qind.
“Furnizimi me këto maska dhe çmimi i tyre paksa ka ndryshuar, ne e shesim 0.10 centi copën dhe 5 euro një pako, e cila ka 50 copa. Më herët ky çmim ka qenë përgjysmë më i ulët, mirëpo ka ndryshuar tashmë”, thotë një shitëse në një nga barnatoret e kryeqytetit, shkruan FaktePlus.
Pra, një maskë e thjeshtë mbrojtëse që shitej për 5 centë kanë një çmim prej 10 centë.
Plani i detajuar i Ministrisë së Shëndetësisë për reagim ndaj koronavirusit
Komiteti për Sëmundje ngjitëse i formuar nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar dje se ka përgatitur dhe miratuar planin e gatishmërisë dhe reagimit për koronavirusin e ri Covid-19.
Në këtë plan janë përfshirë pothuajse të gjitha institucionet shëndetësore publike, organizata e agjenci të Qeverisë, si dhe Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës.
Në njoftim thuhet se Komiteti do t’i kërkojë Qeverisë krijimin e një karantine në rast nevoje.
Por në njoftim nuk bëhet e ditur nëse institucionet shëndetësore janë të furnizuara me sasi dhe lloje të mjaftueshme të medikamenteve dhe materialeve në rast nevoje.
“Plani ka përcaktuar detyrat për secilin institucion që ka përgjegjësi në zbatimin e tij dhe parashikon reagimin për secilin skenar të mundshëm në rastet e epidemisë eventuale: skenarin e lehtë dhe atë të ashpër”, thuhet në njoftimin e MSH-së./FaktePlus