Koronavirusi prek edhe Antikorrupsionin, çfarë po ndodh me deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të shtetit
Në fillim të muajit mars ka nisur procesi për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, e ku mijëra të tillë nga niveli më i lartë e tek ai më i ulëti, janë të obliguar ta bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK).
Janë gjithsej 4 mijë e 694 zyrtarë të cilët janë të obliguar të bëjnë deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion.
Nga 1 marsi,e deri më tani janë 2 mijë 270 zyrtarë që kanë dorëzuar formularët për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion.
Këtë e kanë bërë të ditur për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, nga AKK.
“Nga gjithsej 4694 zyrtarë që kanë për obligim ligjor deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë në Agjencinë kundër Korrupsionit, nga data 01 mars 2020, kërkesës për deklarimin e pasurisë i janë përgjigjur rreth 2700 zyrtarë të cilët kanë dorëzuar formularët e deklarimit të pasurisë në AKK”, thuhet në përgjigjen Agjencisë Kundër Korrupsion.
E për shkak të pandemisë, dorëzimi i formularëve që disa ditë ka nisur dhe është bërë përmes postës elektronike.
Madje për shkak të gjendjes së krijuar nga Koronavirusi, do të shtyhet edhe afati për deklarimin e pasurisë.
“Marrë për bazë rekomandimet e institucioneve përgjegjëse, Agjencia kundër Korrupsionit me datë 17 mars 2010 ka njoftuar të gjithë zyrtarët e lartë publik se për shkak të situatës së krijuar, AKK nuk mund të pranojë deklarimin e pasurisë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga zyrtarët e lartë apo personat e autorizuar në zyrat e AKK-së, por të gjithë zyrtarët lartë publik që deklarimin e pasurisë ta bëjnë në mënyrë elektronike në adresën [email protected], ndërsa formularët e deklarimit të pasurisë duhet të jene te nënshkruar dhe skanuar. Gjithashtu AKK ka njoftuar të gjitha institucionet se afati i deklarimit të pasurisë se afati për deklarimin e pasurisë do të shtyhet edhe për një periudhë të pacaktuar, ndërsa për të gjitha ndryshimet, AKK, do të njoftojë me kohë opinionin dhe institucionet publike”, thuhet mes tjerash nga AKK.
E deri më tani janë rreth 1 mijë e 500 zyrtarë që punojnë në institucione që kanë bërë deklarimin e pasurisë.
Ndërkaq, në vitin 2018-të kanë qenë të obliguar që ta bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre 4 mijë e 737 zyrtarë publik. Nga ky numër i përgjithshëm, pasurinë e kanë deklaruar 4 mijë e 660 zyrtarë që i bie 98.37 % , kurse 77 persona që janë në detyrë zyrtare e që kanë qenë të obliguar ta deklarojnë pasurinë, nuk e kanë deklaruar.
Veç këtyre, janë 46 zyrtarë që pasurinë e kanë deklaruar pas afatit, 25 nuk kanë deklaruar pasurinë, si dhe 5 nuk kanë deklaruar pasurinë me arsye.
Rrjedhimisht, zyrtarët publikë kanë afat të dorëzojnë deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion brenda 1 muaji që është 1 deri më 31 mars.