Koronavirusi në Shqipëri, Rama: Nuk do të mbyllim kufijtë
Kryeministri Edi Rama tha se pas konfirmimit të dy rasteve të para të personave të infektuar me koronavirus në Shqipëri, qeveria është përgatitur për skenarin e parë të shfaqjes së këtij virusi.
Në mbledhjen e qeverisë, që u thirr pak orë pas konfirmimit të dy rasteve të para në Shqipëri, Rama bëri thirrje për qetësi.
“Receta më e gabuar tani është paniku. Por, ilaçi më i mirë në këto raste është qetësia. Zbatoni rreptësisht rekomandimet e autoriteteve dhe informohuni nga burimet zyrtare”.
Kryeministri shqiptar tha se kufijtë nuk do të mbyllen, shkruan A2 CNN.
“OBSH kundërshton me forcë mbylljen e kufijve. Është një masë shumë drastike, e përdorur thuajse fare ose pjesërisht në raste shumë specifike, të lidhura me të dhëna shumë specifike që Shqipëria nuk i ka. Ne planin e veprimit e kemi në tryezë dhe sot me konfirmimin e rastit të parë, futemi në skenarin e parë”.
Qeveria ka vendosur një fond prej 400 milionë lekësh për të plotësuar disa nevoja të kësaj faze të sistemit shëndetësor, tha kryeministri.