Koronavirusi ia merr jetën edhe dizajnerit të njohur, Sergio Rossi
Stilisti legjendar i këpucëve Sergio Rossi ka vdekur nga komplikimet e koronavirusit. Ai ishte 84 vjeç, shkruan Page Six, transmeton lajmi.net.
Rossi u shtrua në spital për disa ditë në Cesena të Italisë, përpara se të vdiste, sipas “Footwear News”.
“Sergio Rossi ishte një mjeshtër, dhe është nderi im i madh që e kam takuar atë dhe ia kam paraqitur arkivin në fillim të këtij viti. Vizioni dhe qasja e tij do të mbetet udhëzuesi ynë për rritjen e markës dhe biznesit”, shkroi në Instagram, Riccardo Sciutto, Drejtori i Përgjithshëm i Grupit Sergio Rossi.
Të famshëm të shumtë kanë mbathur këpucët e dizejnuara nga Rossi, përfshirë Rihanna, Taylor Swift, Paris Hilton, Priyanka Chopra, Kylie Jenner, Laura Dern, Ariana Grande etj.
Në mars, kompania njoftoi se 100 përqind e shitjeve të saj në internet do të shkonin si donacion për luftën kundër pandemisë COVID-19.
Sergio Rossi u lind më 1935 në San Mauro Pascoli, një nga rajonet e këpucëve të Italisë, dhe nisi markën e tij më 1968.