Koronavirusi, anulohet Eurovizion 2020
Situata prej koronavirusit ka bërë që të anulohet Festivali Europian i Këngës për këtë vit. Eurovision 2020 pritej që të mbahej në Rotterdam.
Lajmin e ka konfirmuar vetë Drejtori Ekzekutiv i festivalit, Jon Ola Sand. Në një deklaratë zyrtare ai thotë se e jep këtë lajm me hidhërimin më të thellë.
“Paqartësia e krijuar nga përhapja e COVID-19 në të gjithë Europën dhe të gjitha kufizimet e ndërmarra nga qeveritë pjesëmarrëse, por edhe nga ato holandeze, do të thotë që Bashkimi për Transmetim Europian (EBU) ka marrë vendimin e vështirë që eventi të mos vazhdojë ashtu siç ishte planifikuar. Shëndeti i artistëve, stafit, fansave dhe vizitorëve si dhe situata në Holandë, Europë dhe botë janë arsyeja pse morëm këtë vendim”, tha Sand.
Sand u shpreh se po vazhdojnë diskutimet nëse Eurovisioni mund të organizohet vitin e ardhshëm në Rotterdam. Shqipërinë do ta përfaqësonte në Eurovision Arilena Ara.