Kori Siparantum nga Kosova mbajti koncert në Kroaci
Kori Siparantum u themelua në bazë të një trashëgimie artistike të këndimit koral në Pejë. Kori u krijua nga vullneti i lirë i qytetarëve nga zona dhe kategori të ndryshme, pavarësisht nga mosha, gjinia, raca, feja dhe statusi shoqëror, me ëndrrën dhe angazhimin e njëjtë – për të dhënë dashuri, besim, dhe shpresë duke i kënduar të gjithë atyre që besojnë në një të ardhme më të mirë të botës. Gjithashtu ky kor ka një tjetër qëllim të rëndësishëm – të promovojë Kosovën në rajonin e Ballkanit dhe në mbarë botën, përmes muzikës artistike dhe ndërkombëtare të përbërë nga kompozitorë të mirënjohur nga shekujt e kaluar e deri në ditët e sotme.
Dirigjent permanent i korit është Memli Kelmendi. Siparantum gjithashtu u nderua për t’u drejtuar nga kompozitori dhe dirigjenti kroat, Josip Degl’ Ivellio. Kori në strukturën e e tij artistike përbëhet nga përformues solo, kori i fëmijëve, kori i femrave, kori mikst dhe orkestra kamerale.
Me datën 20 tetor në sallën më të njohur të Kroacisë, pikërisht në “Hrvatski Glazbeni Zavod” që njihet një prej sallave më të mira për akustikën që posedon, kësaj radhe kori i femrave “Siparantum Female Choir” u paraqit me një program artistik dhe që u duartrokit gjatë nga publiku i pranishëm. Edhe një herë u dëshmua profesionalizmi i lartë i korit nga kritikë të muzikës që ishin të pranishëm në këtë mbrëmje, shkruan FaktePlus
Në këtë koncert kori u paraqit me vepra të ndryshme botërore por duke mos anash kaluar edhe vepra të kompozitorëve shqiptarë.
“Kjo mbrëmje për neve ishte shumë e rëndësishme meqë sonte u paraqitëm më ndryshe se herave të kaluara. Jam i kënaqur që brenda një periudhe të shkurtër kemi realizuar këtë program dhe që nuk ka qenë punë aspak e lehtë. Ky koncert për neve është vazhdimësi e qëllimeve tona artistike dhe vizionit tone. Kështu më së miri mund t’i tregojmë botës se kush jemi. Dua t’i falënderoj të gjithë për këtë organizim të përkryer dhe në veçanti këshillin e pakicës shqiptare të qytetit të Zagrebit”, tha Memli Kelmendi, dirigjent i korit Siparantum për FaktePlus