Koreja Veriore refuzon rreth 3 milionë vaksina: Jepjani atyre që kanë më shumë nevojë
Koreja Veriore ka kërkuar që rreth 3 milionë doza të vaksinës për Covid-19 që i janë ofruar të dërgohen në vende të tjera, thanë Kombet e Bashkuara.
Një zëdhënës tha se shteti ka kërkuar që vaksinat të dërgohen në vendet që janë prekur më shumë nga pandemia në kohën e mungesës globale të dozave, shkruan BBC.
Vaksinat që iu ofruan Kinës ishin të prodhimit kinez të kompanisë “Sinovac”, pjesë e programit Covax, që ka për qëllim të ofrojë ndihmë për vendet e varfra në sigurimin e vaksinave.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, deri më 19 gusht, Koreja Veriore zyrtarisht nuk ka regjistruar asnjë rast me Covid-19.
Shteti i izoluar vendosi masa të rrepta kufizuese që nga fillimi i pandemisë. Koreja Veriore ishte një ndër vendet e para që i mbylli kufijtë në janar të vitit të kaluar.
Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që Koreja Veriore refuzon vaksina. Në korrik, ky vend refuzoi rreth dy milionë doza të vaksinës AstraZeneca, duke i përmendur si arsye shqetësimet rreth efekteve të mundshme anësore.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, tha para gazetarëve në korrik se vendi i tij i ka ofruar disa herë Koresë Veriore furnizim me vaksinën Sputnik.