Koreja Veriore më e ashpër se Irani, ia refuzon fill bisedimet ShBA-së
Koreja Veriore tha të enjten tha se do ta shpërfillë ofertën e Shteteve të Bashkuara për bisedime derisa ky vend të tërhiqet nga ajo që e quajti politikë armiqësore. Refuzimi erdhi pak ditë pasi Uashingtoni u përpoq të vendoste kontakte me Pjongjangun për rifillimin e bisedimeve bërthamore.
Deklarata e zëvendësministres së Jashtme të Koresë Veriore, Choe Son Hui, erdhi vetëm disa orë para se kryediplomatët dhe ministrat e Punëve të Jashtme të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë Jugore të takohen për bisedime në Seul për të diskutuar rreth programit bërthamor të Koresë Veriore.
“Ajo që është dëgjuar nga ShBA-ja që nga shfaqja e regjimit të ri është vetëm një teori e çmendur e ‘kërcënimit nga Koreja Veriore’ dhe retorika e pabazë rreth denuklearizimit të plotë”, deklaroi Hui, duke thënë se oferta për bisedime është mashtrim për të përfituar kohë.
Ajo e ritheksoi pozicionin e vendit komunist se asnjë dialog i asnjë lloji nuk mund të jetë i mundur derisa Shtetet e Bashkuara të tërhiqen nga armiqësia. “Prandaj, ne do të shpërfillim një përpjekje të tillë të ShBA-së në të ardhmen, gjithashtu”, tha diplomatja.
Këtë javë, motra e liderit Kim Jong-un i kërcënoi Shtetet e Bashkuara që të mos shkaktojnë erë baruti, nëse duan të flenë të qeta dhe i kritikoi ushtrimet e rregullta ushtarake të forcave amerikane dhe koreanojugore.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë një vizite në Tokio këtë javë tha se Uashingtoni është munduar të kontaktojë me Korenë Veriore përmes disa burimeve, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.