Kontejnerët e Prishtinës që groposën mbi 200 mijë euro (Video)
Në vitin 2013, mbi 200 mijë euro i ka harxhuar Komuna e Prishtinës për ndërtimin e 12 kontejnerëve nëntokësor në disa lokacione. Ky projekt që nuk arriti të funksionalizohet solli edhe probleme tjera. Defekte serioze ndodhën me makinerinë që do t’i nxirrte mbeturinat nga gropa dhe për këtë u harxhuan edhe mijëra euro tjera.
Në fakt përveç 200 mijë euro për ndërtimin e kontejnerëve janë dhënë edhe mijëra euro tjera në përpjekjen që të adaptohen disa kamionë që do t’i bënin funksional kontejnerët modern, por as kjo nuk funksionoi.
E që të harrohet ‘meseleja’ e tyre, sipër kontejnerëve nëntokësor ka kohë që janë vendosur ata mbitokësorë.
Qytetarët ankohen se kështu vetëm sa janë krijuar telashe të reja. Jeton Canhasi nga Prishtina, i cili edhe e ka zyrën në afërsi të kontejnerëve, thotë se ka problem pasi nuk durohet kundërmimi.
Ai shpreson e lutet që sa më parë të zgjidhet ky problem.
“Ka zgjatur shumë kjo punë, dhe ende nuk janë vërë në funksion këta kontejner nëntokësor. Kemi kontejnerët e tjerë që janë të hapura dhe kundërmojnë prandaj pyetja vjen pse deri më tani nuk është në funksion. Po shpresojmë që është bërë zgjidhja dhe lusim organet që kjo të vihet në shërbim për arsye se edhe unë kam zyrën afër këtu dhe e kemi problem”, thotë Canhasi.
Pastrimin e bartjen e mbeturinave nga kontejnerët në Prishtinë, sikurse edhe në disa komuna tjera e bën kompania “Pastrimi”. Zyrtarja e kësaj kompanie, Arbnore Ademi pohon se e gjithë kjo mori problemesh ka ardhur pasi kamionët nuk kanë qenë adekuat.
“Ky projekt është nga Prishtina dhe ne e kemi bërë vetëm implemetimin. Më herët nuk ka pas kamion dhe kemi bërë modifikimin e 4 kamionëve, por që kemi pasur probleme përsëri, si probleme me vaj dhe hidraulike dhe është dashur të ndërpritet. Kemi bisedime me komunën e Prishtinës që t’i sanojmë ato probleme. Jemi të interesuar që të funksionalizohen ata kamionë. Shpresojmë që në fillim të vitit të ardhshëm t’i funksionalizojmë”, ka thënë ajo për FaktePlus.
Nga kjo kompani po ashtu ka thënë se numri i borxhlinjve mbetet ende shumë i madh. Ajo tha se lëndët e borxhlinjve po dërgohen vazhdimisht tek përmbaruesi për shkak se nuk ka mbetur tjetër zgjidhje.
“Deri më tani janë të identifikuara afër 20 milionë euro borxh nga qytetarët, këtu duke përfshirë 7 komuna ku kompania jonë operon. Me faljen e borxheve publike, shumë qytetarë kanë përfituar të cilët kanë lidhur marrëveshje me kompaninë tonë.
Mirëpo jo të gjithë i kanë përfillur dhe janë sjell bazuar në ato ligje. Ne si kompani nuk kemi mjet kushtëzues për t’i shtyrë që ta paguajnë borxhin. E vetmja mënyrë për nxjerrjen e borxhit është dërgimi i lëndëve tek përmbaruesi privat dhe është mirë që qytetarët t’i kryejnë obligimin e tyre. Numri i tyre tek përmbaruesi është i madh sepse kemi filluar që moti”, ka thënë Ademi.
Ndryshe kompania “Pastrimi” është duke bërë shlyerjen e borxhit ndaj deponisë sanitare në Mirash, ku edhe bëhet grumbullimi i mbeturinave.
“Pastrimi” kësaj deponie i detyrohet me mbi 100 mijë euro borxh./FaktePlus