Konstituohet Kuvendi, Glauk Konjufca zgjidhet kryetar i ri (VIDEO)
Glauk Konjufca është kryetar i ri i Kuvendit të Kosovës, ani pse Vetëvendosje e LDK nuk kishin marrëveshje për bashkëqeverisje. Megjithatë, deputetët e LDK-së, unanimisht votuan pro kandidaturës së Konjufcës.
Konjufca është zgjedhur më 75 vota pro, 27 kundër dhe një abstenim. Të vetmit që ishin kundër zgjedhjes së tij ishin deputetët e PDK-së dhe AAK-së.
Me të marrë postin e kryetari të Kuvendit, Kojufca tha se do t’i kryejnë detyrat me nder.
“Ju garantojmë se do ti kryejmë detyrat tona me nder sipas ligjit dhe Kushtetutës në fuqi. Pa besimin e qytetarëve nuk do të ishim këtu ku jemi”, ka thënë ai.
Në seancën e sotme konsituive deputetët e legjislaturës së shtatë kanë zgjedhur edhe pesë nënkryetarët e Kuvendit.
Arbërie Nagafci nga Vetëvendosje, Kujtim Shala nga LDK-ja, Memli Krasniqi nga PDK-ja, Sllavko Simiqi nga Lista Serbe dhe Fikrim Damka nga komunitetet jo serbe do të jenë zëvendësit e Glauk Konjufcës.
Në seancën konstituive 111 deputetët e legjislaturës së shtatë dhanë edhe betimin e deputetit, derisa nëntë të tjerët që nuk ishin prezent betimin do ta bëjnë në seancën e radhës.
Këtë seancë e ka udhëhequr deputeti më i vjetër Jahja Kokaj nga Vetëvendosje, i cili jo rrallë herë bëri gabime.
E pas përfundimit të seancës konstituive , kryetari i PDK-së, Kadri Veseli para mediave ka thënë se dita e sotme duhet t’I hap rrugë krijimit të institucioneve.
“Për dy mandate kam qenë kryetar i Kuvendit deri në ditën e sotme. Jam shumë falënderues prej qytetarëve dhe deputetëve. Sot është konstituua Kuvendit i Kosovës, përkatësisht institucionet e saja. Ju uroj të gjithë qytetarëve tanë. Po ashtu shpresojmë që dita e sotme që ti hap rrugë edhe krijimit të institucioneve siç është formimi i qeverisë. Jemi shtet i ri, jemi demokracia e re parlamentare, janë normale rotacionet demokratike. Ajo çka është kryesore nuk duhet t’i polarizojmë qytetarët mes vete edhe në të njëjtën kohë nuk duhet të krijojmë kriza artificiale të cilat mund ta vejnë situatën e qytetarit tanë në një krizë e cila është sociale, siç është marrja e pagave që nga shkurti, përkatësisht marsi i vitit të ardhshëm”, ka thënë Veseli.
Pas zgjedhjes së organeve drejtuese të Kuvendit, presidenti duhet t’ia jap mandatin partisë fituese për ta formuar qeverinë brenda afatit kushtetues që është 15 ditë./FaktePlus