Konkursi i dyshimtë në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK)
Javët e fundit Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka hapur disa konkurse për pranimin e dhjetëra punonjësve të rinj. Por, këto konkurse po shihen si të dyshimta. Kështu së paku thonë disa persona që garuan për të fituar një vend pune në ASK. Ata ankohen se nuk u lajmëruan me kohë dhe se u kontaktuan vetëm ditën kur është mbajtur testi, e zyrtarët e ASK-së japin sqarimet pse ndodhi kështu.
Janë disa konkurse që Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka hapur javët e fundit. Disa u hapen në ditët e fundit të vitit 2019, e disa tjera vazhduan të hapen këtyre ditëve të para të vitit 2020.
Në njërin prej konkurseve ASK-ja kërkonte 12 punëtorë, respektivisht Anketues/ Intervistues për Anketën e Fuqisë Punëtore (BE – AFP). Të gjithë këta anketues sipas konkursit do të angazhohen në shtatë komuna të Kosovës, respektivisht në Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Ferizaj dhe Prishtinë.
Zyrtarët e ASK-së thonë se konkursi për Anketën e Fuqisë Punëtore është shpallur konform Ligjit Nr. 03/I-149 për Shërbimin Civil, Ligjit Nr.04/L-036 për Statistikat Zyrtare të Republikës së Kosovës, si dhe Ligjin Nr. 04/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve, ku procedura e rekrutimit është zhvilluar me një procedurë të thjeshtësuar.
ASK lajmëron kandidatët vetëm 1 orë e gjysmë para se të mbahet testi
Por, disa qytetarë që garuan për të fituar një vend pune në ASK kanë ngritur shqetësimet e tyre se ky konkurs nuk ka shkuar si duhet.
Ata i kanë shkruar FaktePlus e shprehin dyshime se konkursi ka qenë i kurdisur, pasi nuk janë lajmëruar me kohë e nëpërmjet e-mailit për ditën e testit, por vetëm në telefon dhe atë një orë e gjysmë para se të mbahej testi më 8 janar 2020.
“Më kanë telefonuar vetëm 1 orë e gjysmë para se t’i nënshtroheshim testit. Menxi kam mbërri me kohë. Kjo s’më ka ndodh asnjëherë që një institucion i shtetit të thërret brenda ditës për intervistë, kur dihet që kemi aplikuar nga komuna tjera dhe jo nga Prishtina”, ka treguar për FaktePlus një nga kandidatët, NN, (emër i njohur për redaksinë) i cili ka aplikuar që të fitojë një vend punë në njërën prej shtatë komunave të caktuara në konkurs.
Edhe një tjetër kandidat, NN1, (emër i njohur për redaksinë) tregon se nuk arriti të shkonte me kohë në test.
“Më kanë lajmëru vonë dhe vetëm me telefon. Deri sa shkova prej komunës time në Prishtinë, testi gati ishte në gjysmë të përfundonte. Kjo nuk është e drejtë, sepse ASK ka kërkuar punëtor edhe nga komuna tjera, e ne është e pamundur të vijmë në Prishtinë aty për aty”, shpreh shqetësimin e tij kandidati.
Ai tregon se shoku i tij i studimeve nuk ka arritur të vjen fare në test, pasi është nga një komunë, e cila është mjaft larg Prishtinës dhe ka qenë e pamundur të arrijë për një orë e gjysmë.
Në konkursin e shpallur nga ASK për Anketues/ Intervistues për Anketën e Fuqisë Punëtore (BE – AFP), ku kërkoheshin 12 punëtorë, aplikuan 76 persona nga qytete të ndryshme të Kosovës. Prej gjithë aplikantëve 71 janë përzgjedhur për të hyrë të test dhe vetëm 61 (disa me kohë e disa më vonesë) i janë nënshtruar testit.
E deri sa aplikantët i kanë ngritur shqetësimet e dyshimet e tyre pasi nuk u lajmëruan më kohë për testin, zyrtarët nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), nuk e pranojnë një gjë të tillë.
“Të gjithë kandidatët të cilët i kanë plotësuar kriteret e konkursit, në pamundësinë e të lexuarit të e-mailit nga ana e tyre, i kemi kontaktuar me telefon, ku prej tyre disa nuk janë përgjigjur telefonatës edhe pse kemi provuar disa herë. Sipas procedurës, Testi me shkrim është mbajtur me datën 08.01.2020 në ora 13:30, ku komisioni prapë ka tentuar në mëngjes para mbajtjes së testit të kontaktoj kandidatet të cilët nuk janë përgjigjur në telefon në ditën kur i kemi kontaktuar, pra vetëm nga arsyeja qe t’ju mundësohet pjesëmarrja e tyre në testin me shkrim dhe në mënyrë që ta kenë trajtimin e barabartë me të gjithë kandidatët tjerë, ne i kemi kontaktuar edhe një herë në telefon”, thuhet në përgjigjen e ASK-së.
Mirëpo, NN sikurse edhe NN1 thonë se zyrtarët e ASK-së nuk po tregojnë drejtë dhe tashmë janë duke shikuar mundësinë e ankesës e padisë, pasi dërgimi ose jo i njoftimin përmes e-mailave lehtë mund të vërtetohet dhe për këtë rast kanë edhe fakte tjera.
Madje, NN thotë se e ka incizuar një zyrtar të ASK-së, i cili arsyetohet pse aplikuesit nuk janë lajmëruar me kohë, por shpejt e shpejt.
Ai tha se ka kontaktuar së paku edhe me 5 persona tjerë që kanë qenë në test dhe ata i kanë pohuar se ASK-ja i ka kontaktuar vetëm në ditën e testit dhe jo më herët as me telefon, por as me e-mail./FaktePlus