Konjufca reagon pasi BIA serbe mori në pyetje Kelmendin, e ndërlidh me “Ballkanin e Hapur”
Me anë të një postimi në Facebook, këtë akt ai e ka quajtur të trishtë dhe të papranueshëm.
Po ashtu, në këtë postim Konjufca ka reaguar edhe për legjitimimin e shprehjes shoviniste “siptari” nga Gjykata e Apelit në Serbi, ku kjo instancë gjyqësore rrëzoi padinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar ndaj ministrit serb, Aleksander Vulin për përdorimin e këtij termi.
Tutje, Konjufca ka përmendur edhe ndalimin e përdorimit të simboleve të shqiptarëve që jetojnë në Serbi.
Të gjitha këto zhvillime, Konjufca i ka ndërlidhur me ftesën e Vuçiqit për “Ballkanin e Hapur”, i cili siç thotë ai po tentohet të shitet si “fqinjësi e mirë”.
Postimi i plotë i Konjufcës:
Sot Gjykata e Apelit në Beograd e ka quajtur të ligjshëm përdorimin e termit shovinist e ofendues për shqiptarët, duke e rrëzuar padinë e ngritur ndaj ministrit të brendshëm Vulin nga Këshilli Kombëtar Shqiptar. Serbia udhëhiqet nga figura politike të cilat i mohojnë masakrat që Serbia i ka kryer në Kosovë.
Shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë ende u ndalohet përdorimi institucional i flamurit kombëtar edhe pse jetojnë në trojet e veta. Populli ynë atje është pakica kombëtare më e diskriminuar në Evropë.
Në anën tjetër sot është intervistuar gazetari Adriatik Kelmendi nga shërbimi sekret i Serbisë. Gjatë kohës së Milosheviqit këto i quanin ‘biseda informative’. Vërtet e trishtë dhe e papranueshme.
Hiç më larg se dje Vuçiq edhe një herë na bëri ftesë për pjesëmarrje në Open Ballkan, duke shtuar se Serbia do të jetë ‘shtëpi e dytë’ për shqiptarët.
Ky është Open Ballkan i 24 orëve të fundit që po tentohet të na shitet si ‘fqinjësi e mirë’.