Konjufca: Golob mund të jetë kryeministër i Sllovenisë, kujdes se si i referoheni
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në seancën e sotme të Kuvendit, duke folur për rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka thënë se “kushdo që ka përgjegjësi për gjithçka do ta merr vendimin e merituar”.
Ai ka kërkuar nga deputetët e Kosovës që të kenë kujdes kur i referohen kryetarit të Partisë Lëvizja për Liri në Slloveni, Robert Golob, i cili i fitoi zgjedhjet në Slloveni më 24 prill, e i cili është i lidhur me skandalin financiar për të cilin dyshohet edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Sipas tij, Berishaj ishte dëm kolateral në këtë temë dhe aspekt sekondar i shkëputjes së kontekstit të përgjithshëm. E kontekst i përgjithshëm, thotë ai, ishte goditja e atij që nesër mund të jetë kryeministër i Sllovenisë.
“Ai nesër mund ta vizitojë Kosovën. Nëse thuhen gjërat kështu, pa ndonjë distancim, e të nënkuptohet që ne po i referohemi si shpëlarës parash, mendoj që duhet pasur kujdes. Sa i përket pjesës tjetër, duhet të sqarohen të gjitha dhe kush ka përgjegjësi për diçka, do ta marrë vendimin e merituar”, ka thënë ai.